E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skender Gega: Një Shqipëri me të ardhme

/* */

DASH FRASHËRI - Shqipëria U-19 bëri një paraqitje dinjitoze në eliminatoret e Kampionatit Europian 2012 të kësaj grupmoshe (5-10 tetor 2011), duke zënë vendin e tretë në grupin e 12-të, me katër pikë, pas një fitoreje, një barazimi dhe një humbjeje, respektivisht kundër Maltës (4-0), Austrisë (0-0) dhe Danimarkës (0-1).

Kuqezinjtë e drejtuar nga Skënder Gega kanë shanse të kualifikohen në Elite Round, si e treta më e mirë, por janë në pritje edhe të përfundimit të ndeshjeve në pesë grupet e tjera elinminatore. Skënder Gega është prej disa muajsh trajneri i Kombëtares U-19 të Shqipërisë në futboll. Ish-mbrojtësi i fortë dhe simpatik i Partizanit (1983-1991) dhe i Kombëtares shqiptare (10 ndeshje), tha për gazetën “Telegraf”, se “skuadra bëri një paraqitje shembullore në këto elimnatore”.

Skënder Gega, Kombëtarja U-19 që ju drejtoni zhvilloi një performancë mbresëlënëse në eliminatoret e Kampionatit Europian të kësaj moshe, të zhvilluar para pak ditësh. Si do ta vlerësonit?

Në çdo kompeticion, themeli i një pune dhe rezultateve të mira, është përzgjedhje e kujdesshme e lojtarëve më të mirë për momentin. Besoj se pata një grup cilësor, si nga ata që luajnë në Shqipëri, por dhe futbollistë që luajnë jashtë me ekipet e moshave, si në Itali, Greqi, e gjetkë. Përsa u përket ndeshjeve, humbëm ndeshjen e parë 1-0 me Danimarkën, barazuam pa gola në të dytën me Austrinë dhe fituam 4-0 në të tretën me Maltën, duke i bërë një mbyllje të bukur eliminatoreve. Besoj së bëmë një performancë të mirë.

Çfarë mesazhet morët ju si trajner?

Ajo që është dhe më e rëndësishme për mua, si trajner, është fakti që lojtarët tani kanë më shumë besim te forca e tyre. Me përjashtim të një lojtari të që na u dëmtua, i aktivizova të 17 lojtarët e tjerë që kisha marrë në Austri, dhe secili prej tyre shprehu kualitetin e tij. Kur zgjedh më të mirët, nuk ka ekip që të turpëron. Nuk mund të them se të gjithë do të kalojnë të gjithë në Kombëtaren U-21, por për një pjesë të madhe të tyre po. Besoj se kjo Shqipëri ka të ardhme.

Një humbje aksidentale 1-0 me Danimarkën, në minutën e fundit shtesë. Komenti juaj?

E dinim se Danimarka dhe Austria janë ekipe të vështira dhe se ato ishin dy ndeshjet më të forta të grupit, kjo dhe për shkak se kishin në gjirin e tyre lojtarë profesionistë, e që luanin me ekipe zinxhir të klubeve të mëdha në vendet e tyre, por dhe atyre që luajnë në Angli, Gjermani, e gjetkë. Ishim të përgatitur dhe ia dolëm të përballonim një presion shumë të madh të rivalëve. Nuk pamë një dominim të lojës së tyre. Me Danimarkën, rezistuam dhe luajtëm si të barabartë deri në minutën e 94-t, kur një top i kthyer aksidentalisht pas dhe një humbje e vëmendjes së portierit tonë na ndëshkoi.
Një barazim heroik me Austrinë, si dhe një penallti e pritur nga Kaloshi?

Austria nuk luante si Danimarka, luante në hapësira të mëdha, kishte lojtarë më teknikë, por ne ditëm të përgjigjeshim. Them se laujtëm si të barabartë deri në minutën e 70-të, kur Harallamb Qaqi, një supermodel si lojtar u ndëshkua me të kuqe. Falë dhe reflekseve të portierit Kaloshi të Lushnjës, një lojtar konstant në lojën e tij, ne e mbyllëm ndeshjen në barazim. Gjithsesi, duke bërë lëvizje taktike në rreshtim humbëm forcën goditëse. Them se patëm dhe pak fat.

Një shfryrje totale, në fitoren 4-0 kundër Maltës.

Ishte i natyrshëm shpërthimi ndaj Maltës. Të gjithë kishim besim se do t’ia arrinim. Në fakt, e prisnim barazimin midis Danimarkës dhe Austrinë. Ndërtuam edhe një strategje efikase. Ndeshja ishte nën zotërimin total tonin, dhe përveç katër golave goditëm edhe tri herë shtyllën.

Spikatën dy gola të Fabio Hoxhës, njëherësh edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës.

Përsa i përket Fabip Hoxhës, mendoj se është një sportist i ri i talentuar dhe me eksperiencë. Ka qenë pjesë e ekipeve zinxhir të Piaçencës, Interit dhe tani luan me Varezen në Itali. Një tjetër lojtar, që duhet ta veçoj është dhe mbrojtësi Harallamb Qaqi, i cili luan në Greqi, me ekipin e njohur të AEK-ut të Athinës. Edhe pjesa tjetër e skuadrës, si Alfred Deliallisi, Robert Agolli, Mërgim Bajraktari, Arbnor Fejzullahu, u dalluan për efikasitetin dhe cilësinë e lojës së tyre.
Çfarë reagime patën kundërshtarët dhe specialistët për paraqitjen e Shqipërisë?
Lojërat e bukura tona ndaj Danimarkës dhe Austrisë, të konsideruara edhe si favoritet e grupit tonë, u vlerësuan nga trajnerët e këtyre ekipeve, prej të cilëve morrëm edhe përgëzimet e rastit. Edhe pse luanim në Austri, ndaj vendit organizator, ekipi ynë u duartrokit shpesh për lojën.

Danimarka dhe Austria e mbyllën në barazim pa gola sfidën midis tyre, çka i kualifikoi direkt ty dyja.

Për të qenë i sinqertë, më erdhi keq që ajo ndeshje u mbyll në barazim, pasi në rast fitoreje të Danimarkës, ne do të kishim shanse të kapnim vendin e dytë. Më ngeli peng. S’kishin asnjë lloj tendence për të sulmuar njëra-tjetrën, asnjë lloj ngacmimi. Gjithsesi, dua të theksoj se Austria dhe Danimarka kishin ekipe të mira.
Gega, ju vetë keni pasur një eksperiencë të suksesshme si lojtar i Partizanit dhe i Kombëtares, ndërkohë që keni punuar edhe si trajner në Shtetet e Bashkuara. Cili është impakti juaj te kjo Kombëtare?

Për të qenë i sinqertë, në momentin e parë që kam pranuar këtë pozicion, kam qenë i bindur jo për suksesin, por për të bërë një punë cilësore dhe hedhur themele të forta për të ardhmen. Këtë e konsideroj shumë të rëndësishme. Nga eksperienca që kam, dëshira për punën dhe kriteret që unë kam vendosur për të përzgjedhur lojtarët, kam pasur besim se ky ishte grupi më i mirë i futbollistëve që unë mund të seleksionoja.

TRI NDESHJET

Në ndeshjen e parë, Kombëtarja U-19 humbi 1-0 atë kundër Danimarkës, me një gol të pësuar në minutën e 93-të nga Kolhert. Në të dytën, ndaj Austrisë, barazuan 0-0, me të dyja skuadrat që e mbyllën takimin me nga dhjetë lojtarë. Heroi i takimit ishte portieri ynë, Mikel Kaloshi, i cili priti mjeshtërisht penalltinë e ekzekutuar nga Ricmajer (73’). Në ndeshjen e tretë, Shqipëria fitoi 4-0 ndaj Maltës: Arab shënoi një autogol në minutën e 38-të, ndërkohë që rezultatin e dyfishoi Mërgim Barjaktari në të 45’+2. Valsi kuqezi vazhdoi me dy golat (55’ dhe 78’) të mesfushorit Fabio Hoxha. Shqipëria, e cila zuri vendin e tretë me katër pikë, pas një fitore, një barazim dhe një humbjeje, ka shanse të kualifikohet në Elite Round si e treta më e mirë.

NDESHJET E SHQIPËRISË
Danimarkë-Shqipëri 1-0
Austri-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Maltë 4-0

RENDITJA
1    Danimarka         3    7
2    Austria         3    5
3    Shqipëria        3    4
4    Malta         3    0

SHQIPËRIA U-19
GJASHTË SEZONET E FUNDIT

Sezoni    N    F    B    H
2011/12    3    1    1    1
2010/11    3    0    1    2
2009/10    3    1    0    2
2008/09    3    0    0    3
2007/08*    6    1    2    3
2006/07    3    2    0    1
* Kalim turi

Vetëm një kalim turi

Shqipëria ka zhvilluar 77 ndeshje në total (U-19, dikur U-18) në kualifikueset e kampionateve europiane të këtyre moshave, duke koleksionuar 16 fitore, 11 barazime dhe 50 humbje. Vetëm në një rast ajo ka mundur të kalojë fazën kualifikuese të grupeve, për të kaluar në fazën e dytë, Elite Round. Pikërisht në sezonin 2007-2008 me trajner Ramadan Shehun : eliminoi Serbinë, duke e mundur atë 2-1 (në atë grup bënin pjesë dhe Spanja me Lihteshtejnin), por më pas dështoi në Elite Round, në grupin ku bënin pjesë edhe Gjermania (humëm 0-2), Kroacia (0-2) dhe Sllovakia (2-2).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›