E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tortoshi në Hys ?

Largimi i papritur i Afrim Tovërlanit ka bërë që Hysi menjëherë të kërkoj një trajner tjetër. Bardhezinjtë tashmë janë në prag të finalizimit të marrëveshjes me Jusuf Tortoshin. Ish trajneri i Flamurtarit beson se prej të premtes do t’ia nis punës në Merdarë.

Kampioni aktual i Kosovës në futboll, Hysi është në prag të finalizimit të bisedimeve me trajnerin e njohur kosovar, Jusuf Tortoshi.

Meqenëse Afrim Tovërlani ndërpreu bashkëpunimin me bardhezinjtë vetëm pas dy seancave stërvitore, llapjanët menjëherë i kanë nisur bisedimet me ish trajnerin e Flamurtarit, i cili të premten, sipas të gjitha gjasave, do ta nisë punën në Merdarë.

Lajmin e ka bërë të ditur për Express vetë Tortoshi, i cili konfirmoi se vetëm disa detaje të vogla i kanë mbetur për t’i sqaruar me bardhezinjtë.

“Jemi në bisedime. Mund të them se jemi afër të arrijmë marrëveshje. Kanë mbetur për t’i diskutuar edhe disa detaje të vogla, të cilat nuk besoj se mund ta dëmtojnë progresin e arritur gjatë bisedave të deritanishme, kështu që deri të premten besoj se kjo punë do të kryhet”, deklaroi Tortoshi për Express, i cili pritet të ndihmohet nga Fadil Ademi. Ky i fundit në sezonin e kaluar e fitoi me ekipin bardh e zi titullin e kampionit dhe Superkupën e Kosovës.

Në këtë stinor llapjanët po përjetojnë krizë të madhe të rezultateve. Prej nëntë ndeshjeve, ata kanë triumfuar vetëm në tri, kurse dy herë kanë luajtur baras. Mirëpo, deri më tash i kanë pësuar katër disfata dhe me vetëm 11 pikë të tubuara, Hysi gjendet në mes të tabelës, me vetëm pesë pikë më shumë sesa skuadra e fundit Liria.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›