E Hënë, 2 Nëntor 2026

Skënderbeu U19 fiton titullin kampion

Skënderbeu U19 është shpallur kampion i Shqipërisë, pasi ka mundur 2-1 Partizanin në Korçë. Në përballjen e dy vendeve të parë, korçarëve iu mjaftonte barazimi, por bënë më të mirën dhe përmbysën disavantazhin e pjesës së parë.

Skuadra e 19-vjeçarëve të Skënderbeut është shpallur kampione e Shqipërisë, pas fitores 2-1 kundër Partizanit në ndeshjen e luajtur mesditën e së shtunës në Korçë. Ndërsa skuadra e parë e klubit është në ankthin e mbijetesës, të rinjtë ngjiten në majë, duke përmbysur disavantazhin e pjesës së parë. Korçarëve iu mjaftonte barazimi, pasi kryesonin kampionatin me një pikë më tepër, megjithatë në pushim ishte Partizani që shkoi si kampion, pas epërsisë së ardhur në minutën e 42-të, me golin e shënuar nga Malaj.

Korçarët u përgjigjën rrufeshëm pas pushimit, pa u mbushur ende minuta e parë, kur kapiteni Xhixho barazoi. Në minutën e 65-të, Laze shënon me një gjuajtje të bukur dhe i jep kryesimin Skënderbeut, që tani është shumë pranë titullit, edhe pse ka ende minuta lojë. Dhe rasti për rihapjen e ndeshjes vjen kur Partizani ka mundësinë më të mirë, pesë minuta para mbarimit, me penallti.

Megjithatë, Qokthi gabon, duke gjuajtur jashtë dhe Skënderbeut i duhet vetëm të mos pësojë dy gola në minutat e mbetura. Ia arrin ta bëjë me sukses dhe fiton titullin, si dhe të drejtën e pjesëmarrjes në UEFA Youth League, si kampion i Shqipërisë për moshën deri në 19 vjeç.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›