E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeu fiton mes polemikave në TiranëGoditet Moçka, ndërpitet 30 minuta ndeshja

SHKRUAN: Jeton Selimi 26-04-2011 11:44

Skënderbeu ka fituar dhe ndaj Tiranës dhe duket se nuk njeh më pengesa. Korçarët i janë falur një penalltie të fituar nga Gjergj Muzaka në minutën e 52-të dhe të shndërruar në gol nga kapiteni Blendi Shkëmbi. Por në të vërtetë sfida i ka pasur të gjitha, përfshirë dhe nervozizmin e kartonat.

Sfida në “Qemal Stafa” nis e fortë dhe skuadrat i japin jetë një futbolli të bukur. Në 45 minutat e para është Tirana ajo që këmbëngul më shumë të gjejë kuadratin e mbrojtur nga Orges Shehi, por në finalizimin e aksioneve, 24 herë kampionët nuk do të jenë të saktë. Trajneri Misho Krstiçeviç do të detyrohet që në këtë fraksion loje të bëjë 3 zëvendësime (?!). Në fillim del nga loja kapiteni Andi Lila, që zëvendësohet nga Dabulla në minutën e 24-ët. Dhjetë minuta më pas është radha e Gilman Likës të largohet i dëmtuar nga tapeti i gjelbërt dhe, gjatë 15 minutave të pushimit është Sabien Lilaj që i lë vendin Tushes. Të gjitha këto ndodhi bënë që Skënderbeu në pjesën e dytë të ishte më kërkues dhe, në minutën e 52-të Gjergj Muzaka do të pengohet në zonën e rreptësisë. Për kryesorin Dodaj është ndërhyrje e rregullt, por jo për asistetin e tij, që sinjalizon 11-metërshin. Këtu nis nervozizmi i lojtarëve të Tiranës që protestojnë fuqishëm tek anësori, por asgjë nuk ndryshon. Në minutën e 54-ët është Shkëmbi që godet saktë nga pika e bardhë dhe shënon golin e miqve. Por, që ndeshja e Tiranës të bëhej edhe më shumë malore ka menduar Gvozdenoviç, që ndëshkohet me karton të kuq pak minuta më pas. Atmosfera në shkallët e stadiumit ndizet. Tifozët e Tiranës protesojnë ashpër duke sharë në korë drejtuesit korçarë dhe skuadrën juglindore. Por për rezultatin asgjë nuk ndryshon deri në fund, ndonëse Tirana përpiqet, është Skënderbeu që mund ta kishte mbyllur sfidën në 2-3 raste mjaft të pastra. Sidoqoftë, deri pas vendimit të KD për ndeshjen e luajtur në Laç, korçarët kryesojnë +4 nga Flamurtari.

Dhunë në Laç, Moçka në spital

Flamurtari është befasuar vërtet kur ka parë Vilfor Hysën të ndëshkojë që në sekondat e para të sfidës. Vlonjatët nuk e kanë pritur mbase atë reagim të vrullshëm të Laçit, që ka kërkuar dhe në minutat në vijim të shënojë golin e dytë. Megjithatë. Kanë menduar tifozët vendës të prishin ndeshjen e ekipit të tyre, teksa kanë goditur me sende të forta portierin kuqezi Shpëtim Moçka. Ky i fundit është detyruar të braktisë ndeshjen e të shkojë urgjentisht në spital, ku ka marrë ndihëm e parë dhe, sipas mjekëve, nuk ka asnjë problem shëndetësor. Megjithatë, sfida është ndërprerë për më shumë se 30 minuta dhe ka rinisur vetëm atëherë kur drejtuesit e skuadrave dhe gjyqtarët janë konsultuar me rregulloren. Në minutat e fundit të ndeshjes, Ahmataj ka mundur të barazojë rezultatin në 1-1.

Policia konfrontohet me tifozët e Tiranës

Acarimi i tifozërisë bardhebku ka arritur kulmin pas penalltisë së dhënë në favor të Skënderbeut dhe në atë moment ata kanë nisur në kor për të mos pushuar më deri në përfundim të ndeshjes, sharjet dhe ofendimet ndaj drejtuesve korçarë dhe ministrit Bode. Tribuna D2, ku ishin akomoduar dhe tifozët më të shumtë të Tiranës, është bërë skenë e konfrontimeve mes policisë dhe tifozëve bardheblu, duke shoqëruar disa prej tyre në rajon.

Igli Tare e Kristi Vangjeli të pranishëm

Mes shumë figurave VIP të interesuar për të ndjekur ndeshjen e djeshme, kanë qenë dhe Igli Tare e Kristi Vangjeli. Drejtori Sportiv i Lacios ka qëndruar në një nga kabinat sipër sekorit të gazetarëve, ndërsa mbrojtësi i kombëtares, pjesë e fushës politike të kapitenit Blendi Shkëmbi, është akomoduar në radhën e dytë të tribunës VIP. Mbase për drejtorin e Lacios në fushën e lojës mund të ketë qenë ndonjë element i vlefshëm.

Laçjanët sulmojnë autobusin e Flamurtarit

Pas ndeshjes, kanë qenë jo pak të irrituar tifozët kurbinas, të cilët kanë sulmuar autobusin e Flamurtarit, duke thyer xhamat e mjetit të ekipit vlonjat. Lojtarët nuk kanë qenë brenda mjetit, por sidoqoftë kjo situatë ka qenë një tjetër ngjarje e shëmtuar e sfidës së zhvilluar dje.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›