E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllaznia e Kastrioti bëjnë detyrat e shtëpisë

SHKRUAN: Jeton Selimi 26-04-2011 11:47

Shkodranët kanë përmbysur avantazhin e Elbasanit me tre gola, ndërsa në Krujë nuk ka histori pas tre golave të vendësve. Interesant është fakti se të gjithë golat në të dyja ndeshjet janë shënuar në 45 minutat e dyta

Vllaznia bëri detyrën ndaj Elbasanit, duke fituar 3-1 me skaudrën e vendit të fundit, por që kaloi e para në avantazh në “Loro Boriçi”. Mesfushori kosovar i Vllaznisë, Ilir Nallbani ekzekutoi një penallti në minutën e 44-t, por portieri i Elbasanit, Ervin Llani, grushtoi duke e rikthyer sërish topin në lojë. Verdhblutë befasuan shkodranët, kur mbrojtësi malazez i Vllaznisë, Blazo Rajoviç shënoi një autogol në portën e tij në minutën e 59-të. Në minuten e 70-të, Ilir Nallbani barazoi rezultatin duke shlyer në një farë mënyrë dhe gabimin e tij te penalltia. Vllaznia shënoi golin e avantazhit në minutën e 82-të me anë të Armanod Vajushit. Olsi Gocaj goditi fort në drejtim të portës elbasanase, portieri zëvendësues Ruci grushtoi topin dhe sferën e rikthyer te Vajushi përfundoi në rrjetë: 2-1. Golin e tretë të Vllaznisë e realizoi në minutën e 89-të kapiteni Vioresin Sinani, golashënuesi më i mirë i shkodranëve.

Në takimin e zhvilluar më herët, Kastrioti ka marrë tri pikë komode, pasi mundi Teutën me rezultatin 3-1 në sfidën e parë të së hënës, që nisi në orën 14:00. Në Krujë, ekipet u zgjuan në pjesën e dytë pas një pjese të parë pa gola. Në minutën e 56-të, Alikaj kaloi në avantazh Kastriotin, pasi shfrytëzoi një grushtim të pasigurt të portierit Rizvani. Mesfushori e pati të lehtë të shtynte topin në portën e boshatisur. Kaq mjaftoi që Kastrioti të fitonte siguri dhe të gjente golin e dytë. Ishte Inkongo, që mori një top në hyrje të zonës së vogël, godet me të majtën, duke mposhtur portierin Rizvani në minutën e 62-të. Durrsakët janë dorëzuar dhe goli i tretë e tregon më së miri këtë fakt. Babiç shërbehet në mënyrë perfekte në qendër të zonës, pas një krosimi nga e djathta dhe kroati nuk mundtë gabojë. Gjithsesi, në minutat shtesë ka kohë edhe për golin e nderit të Teutës. Pepa merr një pasim nga mesfusha dhe i vidhet mbrojtjes krutane. Përballë me portierin Halili, sulmuesi lëshon një diagonale me topin që përplaset fillimisht në shtyllë e që më pas ndalet në rrjetë. Me këtë fitore, Kastrioti ngjitet në vendin e tetë, me 36 pikë, po aq sa edhe Shkumbini i vendit të shtatë. Teuta zbret në vendin e nëntë në kuotën e 35 pikëve.

Superliga – Java 30-të

Shkumbini – Besa 2-2

Dinamo – Bylis 1-1

Kastrioti – Teuta 3-1

Laçi – Flamurtari 1-1

Tirana – Skënderbeu 0-1

Vllaznia – Elbasani 3-1

Renditja

Skuadra N F B H Gol P

1) Skënderbeu 30 21 4 5 48-22 67

2) Flamurtari 30 20 3 7 59-23 63

3) Vllaznia 30 16 8 6 38-22 55

4) Tirana 30 11 11 8 39-24 44

5) Laçi 30 13 5 11 39-36 44

6) Dinamo 30 10 8 12 43-45 38

7) Shkumbini 30 10 6 14 38-49 36

8) Kastrioti 30 9 9 12 33-41 36

9) Teuta 30 9 8 13 32-37 35

10) Bylis 30 10 4 16 39-48 34

11) Besa 30 8 9 13 29-42 33

12) Elbasani 30 4 3 23 28-74 12

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›