Ndihma në ushqime për familjet rome në Shkozë dhe Babrru
Në kuadër të organizimit dhe koordinimit të punës me donatorët, me qëllim mbështetjen në vazhdimësi të komunitetit rom të dëbuar muaj më parë nga vendqëndrimi i tyre pranë Stacionit të Trenit, në Tiranë, si dhe komunitetit rom të cilit iu dogjën barakat në zonën e Shkozës një javë më parë, dje Ministria e Punës në bashkëpunim me Fondacionin ‘Adra’ shpërndanë paketa me ndihma ushqimore për këto familje. Pakot ushqimore për 50 familjet rome që jetojnë në Shkozë si dhe familjet e instaluara në kampin e emergjencës në zonën e Babrrusë janë në vazhdim të ndihmave që po ofrohen kohët e fundit nga donatorët në bashkëpunim me organizmat shtetërorë. Prej një muaji nga strukturat e Ministrisë së Punës, në bashkëpunim me donatorët, është ngritur një kamp për strehimin e familjeve të dëbuara nga Stacioni i Trenit, në Tiranë. 25 çadrat e ngritura në kamp janë plotësuar me shtretër, dyshekë dhe shtroje dhe kampi është pajisur edhe me tualete portative. Ndërkohë, institucionet janë duke punuar për zgjidhjen përfundimtare të strehimit të këtyre familjeve.