Skënderbeu merr kalanë e Krujës, fiton edhe Tirana

Ndeshja e djeshme Tirana-Apolonia 1-0
Flamurtari mund Bylisin, merr vendin e 4-t në renditje.
Bekim Bala “shpëton” bardheblutë.
Skënderbeu fiton në Krujë dhe rimerr kryesimin e Superiores. Ndërkohë Tirana vuan ndaj Apolonisë, por i falet “kokës” së Balës. Ndërsa Flamurtari përfiton nga humbja e Kastrioti dhe ngjitet në vendin e katërt. Tirana e Hulian Rubios mori një trepikësh të vuajtur dje në “Qemal Stafa” përballë një Apolonie, e cila luajti për më shumë se 80 minuta me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të portierit Moçka. Edhe pse në epërsi numerike, duhet thënë se bardheblutë rrezikuan jo vetëm që të mos fitonin, por edhe të dilnin pa pikë, pasi fierakët patën disa raste të pastra ballë për ballë me portierin Ilion Lika. Te Tirana u pa qartë mungesa e fantazisë dhe gabimet trashanike para portës. U desh që në fushë të futej Bala në pjesën e dytë të lojës për të zgjidhur rezultatin. Një kros i Azirit nga e djathta gjeti sulmuesin të vetëm në zonë, dhe me kokë shkodrani nuk e pati të vështirë të shënonte golin e vetëm të takimit. Në minutat e mbetura edhe Tirana e mbylli me 10 lojtarë, për shkak të daljes me karton të kuq të Tushes (protesta). Sakaq, një 90-minutësh me emocione të forta në stadiumin e Krujës, por me një fitues të qartë, kampionët në fuqi dhe krutanët që e mbyllën takimin me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me kartonin e dytë të verdhë të kapitenit Fatmir Caca. Kastrioti shënoi i pari me anë të sulmuesit Brus Inkango (goli i 13-të sezonal), por pa mundur që më pas vendësit të ruanin këtë rezultat. Vetëm tri minuta më pas, Skënderbeu barazoi rezultatin me një goditje të saktë me kokë të nigerianit Nuredin Orelesi. Por, pjesa e parë pati edhe një gol të anuluar, në mënyrë shumë të dyshimtë ndaj Allmuçës. Pjesa e dytë vazhdoi me dyluftime të ashpra në fushë, aq sa Jmini nxori dhjetë herë kartonin e verdhë, por momenti kyç u regjistrua në minutën e 83-të, kur një kros i Allmuçës në zonë u shfrytëzua më së miri nga Daniel Xhafaj, i cili e devijoi aq sa u desh topin drejt rrjetës. Me këtë fitore, Skënderbeut ruajti kryesimin, duke i dhënë një tjetër temp kampionatit. Në javën e 21-të, korçarët do të presin në fushën e tyre Tiranën, në ndeshjen kyçe të sezonit, përpara se të udhëtojnë drejt Vlorës për t’u përballur me Flamurtarin e vendit të katërt. Pikërisht vlonjatët bënë një hap përpara në renditje, pasi fituan dje në fushën e tyre ndaj Bylisit. Dy golat nga Julian Brahja dhe Pero Pejiç, të realizuar në harkun e shtatë minutave, 23 dhe 29, rikthyen humorin në Vlorë dhe morën vendin e katërt, i cili mund të përkthehet pa frikë edhe si shans për pjesëmarrje në kupat e Europës. Pas dy humbjeve rresht me Vllazninë (1-0, në kampionat) dhe Tiranën (3-0, në kupë), që provokuan edhe dyshime të forta në lidhje me të ardhmen e trajnerit Shkëlqim Muça, fitorja ndaj Bylisit shërbeu për të rivlerësuar edhe situatën në kampin vlonjat. Flamurtari rigjeti fitoren në Vlorë pas barazimit 1-1 me Teutën dhe humbjen 1-0 me Tiranën, ndërkohë që ndeshja e radhës në shtëpi është ajo me Skënderbeun kryesues (java e 22-të), pasi të ndeshet në Fier me Apoloninë në javën e 21-të. Për Bylisin, ende në mesin e artë (vendi i 7-të me 26 pikë), humbja në Vlorë me Flamurtarin ishte e dyta kundër kuqezinjve, pasi dhe ndeshjen e parë në Ballsh e kishin humbur 3-1. Java e 20-të mbyllet sot me dy ndeshje: Kamza-Dinamo dhe Laçi-Shkumbini (do të luhet në Kavajë).
Hysi: Fitore e vuajtur
Trajneri i dytë i Skënderbeut, Lorenc Hysi, e ka konsideruar si një fitore shumë të rëndësishme atë të arritur dje në Krujë. “Për ndeshjen mund të them se ishte një fitore e vuajtur, por rëndësi kanë tri pikët. Ne e kemi thënë gjithmonë që Kastrioti ka një ekip cilësor dhe ishim përgatitur për një ndeshje të tillë. Edhe çunat ishin të vetëdijshëm që ndeshja e kampionatit ishte ndryshe nga ajo e kupës, ndaj ishin përgatitur më së miri”, ka thënë Hysi.
Xhafa: Një gol me vlera për kreun
Daniel Xhafaj është shprehur i kënaqur me fitoren e skuadrës së tij. “Duket se Kruja më sjell fat, megjithatë pak rëndësi ka se kush shënoi, rëndësi ka që fituam. Kjo fitore ishte shumë e rëndësishme për ne, sidomos pas fitores që bëri Teuta, jemi përsëri në vend të parë. Kastrioti është një ekip shumë i mirë, me lojtarë shumë të mirë dhe me pretendime këtë vit. Luajtëm fort të dyja palët, por ajo që ka më rëndësi janë pikët”, tha Xhafa.
Superiore
Të premten
Pogradeci-Vllaznia 2-1
Shënues: Çipi 23 (p), Belisha 56′ (autg)/ Hajdari 64′
Të shtunën
Teuta-Tomori 1-0
Shënues: Tairi 58′
Dje
Flamurtari-Bylisi 2-0
Shënues: Brahja 23′, Pejiç 29′
Kastrioti-Skënderbeu1-2
Shënues: Inkango 35′/ Orelesi 38′, D.Xhafa 83′
Tirana-Apolonia 1-0
Shënues: Bala 68′
Sot
Laçi-Shkumbini 16:00
Kamza-Dinamo 16:00
RENDITJA
Nr. Ekipi ND F B H GSH GP P
1. Skënderbeu 20 13 5 2 36 13 44
2. Tirana 20 13 4 3 27 15 43
3. Teuta 20 13 4 3 23 12 43
4. Flamurtari 20 9 6 5 28 16 33
5. Kastrioti 20 9 4 7 32 24 31
6. Vllaznia 20 8 3 9 30 26 27
7. Bylisi 20 7 5 8 32 31 26
8. Shkumbini 19 7 5 7 26 30 26
9. Laçi 19 7 6 6 18 22 21
10. Tomori 20 6 2 12 24 35 20
11. Kamza 19 5 3 11 14 24 18
12. Pogradeci 20 6 2 12 18 33 17
13. Apolonia 20 3 5 12 17 33 14
14. Dinamo 19 2 6 11 14 25 9
SHËNIM: Dinamo – 3 pikë, dënuar nga FIFA. Laçi – 6 pikë dhe Pogradeci – 3 pikë, dënuar nga Komisioni i Disiplinës.
LEONARD KARAJ