Perandori i ngjashëm me Enverin flet shqip

Titulli: Perandori Gjinia: Roman Autori: Ryszard Kapuscinski Shqipëroi: Astrit Beqiraj Shtëpia botuese: Papirus Viti: 2012 Fq. 192 Çmimi: 800 lekë
Papirus sjell një nga 150 librat më të lexuar të shek. XX.
Gazetari polak Kapuscinski tregon për rënien e perandorit etiopas Hajle Selasje.
Perandori e niste ditën me dëgjimin e spiunllëqeve. Nata është e rrezikshme, e volitshme për komplote dhe Hajle Selasje e dinte se ajo që ndodh natën është më e rëndësishme nga ajo që ndodh ditën, veç kësaj, ditën i kishte të gjitha para syve, kurse natën ishte e pamundur. Ja përse u jepte rëndësi raportimeve të mëngjesit. Perandori i Etiopisë i jepte shumë rëndësi të dëgjuarit, ndaj dhe në oborrin e tij ishte shumë e zhvilluar kultura e spiunimit. Një kulturë kjo e zhvilluar jo vetëm në perandorinë afrikane, por në të gjitha oborret e perandorëve dhe diktatorëve. E ndoshta kjo është një nga arsyet pse libri Perandori i gazetarit polak Ryszard Kapuscinski, i duket aq i afërt lexuesit shqiptar. Prej disa ditësh, një nga veprat më të njohura të princit të reportazhit ka ardhur edhe në shqip nga shtëpia botuese Papirus, nën shqipërimin e Astrit Beqirajt.
Perandori në sytë e shërbëtorëve
Perandori është botuar për herë të parë në vitin 1978. I përkthyer në 32 gjuhë të botës, ai është një nga 150 librat më të lexuar gjatë shek. XX. Për të na treguar të tatëpjetën dhe rënien e regjimit të perandorit Haile Selassie në Etiopi, ai nuk përzgjedh një rrëfim kronologjik me ngjarje dhe data, që jo rrallë bëhet i bezdisshëm. Kapuscinski ofron një rrëfim së brendshmi. Historia e perandorit na vjen përmes zërit të shërbëtorëve apo ministrave të oborrit. Në një farë mënyre Kapuscinski lufton me armët e vetë perandorit, duke shfrytëzuar të gjithë atë rrjet njerëzish, të cilët janë shumë afër tij. Kështu, vetë perandori dhe situata në oborrin e tij vijnë përmes zërave të fshirësit të urinës që qeni japonez i perandorit spërkaste këmbëve të oborrtarëve, hapësit të dyerve, vendosësit të jastëkut, gardërobistit, mbajtësit të qeseve të ministrit të Thesarit, punonjësit të ceremonialit, që ndryshe e thërrisnin kukuvajka, apo ndonjë ministri… Përmes punës që bëjnë, njerëzit e fshehur pas inicialeve tregojnë zakonet e oborrit e perandorit. Por të gjithë këtë rrëfim e lidh pa dyshim vetë Kapuscinski, i cili jo vetëm na ofron rrëfimin e oborrtarëve në mënyrë të zhdërvjelltë e plot kolorit, por edhe përmes përshkrimeve, nga udhëtimi i tij në vendin e largët.
Fati i diktaturave
Edhe pse Haile Selassie është një perandor afrikan, ai të duket shumë i ngjashëm. Ndërsa lexon përshkrimet e autorit

Ryszard Kapuscinski mes ushtarëve në Angola, 1975
për të dhe mënyrën se si funksiononte makineria e regjimit, të duket sikur ai është një nga kopjet e ish-diktatorit shqiptar Enver Hoxha. Mënyra se si ai u ngjit në pushtet, se si vërtiteshin rreth tij ministrat-spiunë, që spiunonin njëri-tjetrin, se si merreshin vendimet nga njerëzit që ai kishte pranë vetes, jo rrallë duke i dhënë ngjyrime, apo interpretime personale urdhrave të tij dhënë me zë të ulët, deri tek matufepsja e perandorit, i cili vdiq i izoluar në dhomën e tij në pallatin e vjetër Menelik në kodrat e Addis Abeba-s, ndërsa mendonte se ende ishte Mbret i Mbretërve, apo i Zgjedhuri i Zotit, edhe pse nuk ishte më i tillë. Duket sikur fati i gjithë diktatorëve dhe i vendit që ata drejtojnë është i njëjtë. Edhe pse flitet për një vend afrikan, paralelet mund të hiqen. Ndërsa përshkruan ceremonialin dhe begatinë e jetës së perandorit dhe pastaj varfërinë përtej oborrit, apo shkëlqimin e jashtëm që kërkonte ti jepte vendit për sytë e botës, apo deri tek dashuria për armët dhe përplasjet mes bandash, çka Shqipëria e provoi disa vjet pas rënies së diktaturës. Të gjithë kanë armë, janë të dashuruar me to. Pronarët kishin në sarajet e veta arsenale të tëra, ushtri private, shkruan Kapuscinski, teksa shkruan më pas: jeta e njeriut- e çfarë vlere ka ajo? Tjetri ekziston vetëm për aq kohë sa sna bëhet pengesë në rrugën tonë. Jeta vlen pak, megjithatë është ku e ku më mirë tia marrësh atë armikut para se ai të drejtojë goditjen kundër nesh…
Autori

Gazetari polak, Ryszard Kapuscinski
Fitues i sa e sa çmimeve ndërkombëtare, një nga gazetarët më të mirë të të gjitha kohërave, i konsideruar si “Princi i Reportazhit”, Ryszard Kapuscinski (19322007) mbuloi vendet e Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine prej fundit të viteve 1950 si korrespondent shëtitës i disa gazetave polake dhe agjencisë shtetërore të lajmeve, PAP. Kur u kthye në Poloni, kishte raportuar mbi 27 revolucione e grushte shteti, ishte burgosur 40 herë dhe u kishte mbijetuar katër dënimeve me vdekje, duke qenë dëshmitar i fundit i regjimeve autokratike në Afrikë dhe dominimit kolonial të disa fuqive europiane. I akuzuar si një reporter i ngjarjeve që ai kurrë nuk i kishte parë, në të vërtetë Kapuscinsci sipas The Guardian ishte një rrëfyes i madh historish.
Komente mbi librin
“Një Kapuscinski vlen më shumë se një mijë shkrues qaramanë e fantazues. Gërshetimi i jashtëzakonshëm i gazetarisë dhe artit në veprat e tij na lejon të ndihemi më afër asaj që Kapuscinski e quan pamjen e vërtetë të pashprehshme të luftës.”
Salman Rushdie“Ai është mjeshtri i vërtetë i gazetarisë.”
Gabriel Garcia Markez“Kapuscinski i kapërcen kufizimet e gazetarisë dhe shkruan me fuqinë tregimtare të Konradit, Kiplingut ose Orwellit.”
Blake Morrison“Një radiografi marramendëse; Intervistat me vartësit… sjellin kujtimet e ditëve të Hajle Selasies me një elegancë magjike që… kap poezinë dhe aforizmin.”
John Updike, The New Yorker
ALMA MILE