ISSH: Kushtet e sigurimit dhe përfitimet për shtatzënat
Përgjigjet e Institutit edhe për rastet e përfitimit të pensionit familjar nga fëmijët.
Një ndër problemet më të shpeshta në sigurimet shoqërore është pagesa e shtatzënisë për nënat të cilat nuk janë në gjendje të vazhdueshme pune. Instituti i Sigurimeve gjendet shpesh përballë rasteve të shtatzënisë së dytë brenda një kohe të shkurtër. Shpeshherë nënat shtatzëna nuk përfitojnë dot pagesën nga sigurimet, për shkak të mospërmbushjes së muajve të sigurimit. Gazeta boton sot sqarimin zyrtar dhe shembullin e një përgjigje për një nga pyetjet e shpeshta që shkojnë në ISSH. Gjithashtu, Instituti i Sigurimeve sqaron edhe rastet e përfitimit të pensionit familjar nga fëmijët që humbasin babin.
Jam një nënë e re dhe doja të merrja informacion për një çështje që më përket. Gjithsej kam 50 muaj e 10 ditë punë. Kam lindur për herë të parë në vitin 2009 dhe përfitova pagesë njëvjecare të barrëlindjes, sepse kisha 40 muaj punë. Që nga ai moment deri tani kam vetëm 10 muaj punë dhe shtatzënia e dytë më ka gjetur të siguruar. Tani kam lindur dhe dua të di nëse përfitoj pagesën e barrëlindjes për fëmijën e dytë. Gjithashtu desha të di nëse mund ta marr shpërblimin për lindje, dhe ku mund ta marr?
Në nenin 27, të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë është përcaktuar që e ardhura për barrëlindje i paguhet gruas së siguruar për barrën dhe lindjen e fëmijës kur ajo ka 12 muaj periudhë sigurimi, për çdo rast përfitimi. Meqenëse periudha e sigurimit që keni realizuar nga puna juaj është mbi 24 muaj (nga 12 muaj për secilën lindje) dhe në momentin e shtatzënisë së dytë keni qenë e siguruar, ju lind e drejta e përfitimit të së ardhurës për barrëlindjen e dytë.
Nëse në momentin e fundit të sigurimit keni qenë e punësuar, pagesa e të ardhurës për barrëlindje, si dhe shpërblimi për lindjen bëhet nga qendra e punës, ndërsa në rast se keni qenë e vetëpunësuar, pagesa e të ardhurës për barrëlindje, si dhe shpërblimi për lindjen, bëhet nga qendra paguese (zyrat postare). Në të dyja rastet, administrimi i dokumentacionit të nevojshëm për pagesën bëhet nga agjencitë e sigurimeve shoqërore.
Jam një qytetare që kam përfituar pension familjar, si person në ngarkim të të ndjerit bashkëshortit tim. Pjesëtar në pension ishte edhe djali im, i cili ka mbaruar shkollën e mesme dhe tani është pa punë. Ka disa muaj që pagesa e pensionit familjar është zvogëluar. Ju lutem më sqaroni nëse kjo gjë është e mbështetur ligjërisht.
Pensioni familjar për ju dhe djalin tuaj është dhënë në mbështetje të nenit 40, të ligjit nr. 7703, datë 11.05.1993 Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë. Në pikën 2/c të këtij neni është përcaktuar se pension familjar përfiton jetimi kur provohet që ai ishte në ngarkim të atij që vdiq dhe ka një moshë nën 18 vjeç ose deri në 25 vjeç nëse studion ose është i paaftë për punë, para se të arrijë moshat e mësipërme.
Meqenëse pas mbarimit të shkollës së mesme, djali juaj nuk ka vazhduar studimet e larta, pjesa e pensionit familjar që i takonte atij (25% e pensionit që i takonte të ndjerit) është ndërprerë.