Skënderbeu mposht Gramozin në tavolinë
Skënderbeu vazhdon të mbajë gjallë shpresat për mbijetesë. Skuadra e drejtuar nga Mirel Josa ka marrë trepikëshin e fundit të javës së 25-të të Kategorisë Superiore. Edhe pse zbritën në fushë të shtunën që kaloi, korçarët i janë gëzuar fitores vetëm të mërkurën, pas vendimit të dhënë nga Komisioni i Disiplinës. Edhe pse fitorja (0-2) erdhi në tavolinë, pas dhunës në takimin Gramozi-Skënderbeu, kjo pak rëndësi ka: bardhekuqtë në këtë mënyrë kanë vazhduar marshimin drejt shpëtimit, dhe në të njëjtën kohë komplikojnë edhe më tepër luftën për të qëndruar mes më të mirëve.
Ndeshja e zhvilluar në Ersekë në datën 27 mars u ndërpre në minutën e 75-të, kur miqtë kryesonin 1-0. Protagonistët negativë u bënë tifozët kolonjarë, që kanë kontestuar ashpër vendimet e gjyqtarëve, madje nuk e kanë kursyer hedhjen e gurëve ndaj lojtarëve të Skënderbeut, por edhe ndaj “xhaketave të zeza”. I pari që u godit me sende të forta ishte anësori Ergin Doda: ai la vendin e tij dhe u spostua në mesin e fushës. Drejt vijërojtësit, për t’i ardhur në ndihmë ka vrapuar gjyqtari kryesor Taullau. Megjithatë, edhe “bilbili” është vënë në shënjestrën e mbështetësve të Gramozit, të cilët e goditën me gurë, në momentin kur ai po merrte ndihmën e stafit mjekësor pas një tërheqjeje muskulore. Duke parë situatën e krijuar, Taullau ndërpreu takimin, edhe sepse 25 minutat e mbetura nuk mund të zhvilloheshin në kushte normale. Vendimi është kundërshtuar nga drejtuesit e klubit të Gramozit, por edhe nga përfaqësuesit e pushtetit vendor, të cilët akuzuan arbitrit për njëanshmëri. Megjithatë, pezullimi i Taullaut u mbështet në mesjavë nga Disiplinori, i cili i ka dhënë Skënderbeut fitoren 2-0 në tavolinë. Ndërkohë, skuadra kolonjare do të jetë e detyruar të zhvillojë edhe katër ndeshje pa praninë e tifozëve. “KF Gramozi”, si pasojë e hedhjes së sendeve dhe mjeteve të tjera të forta në fushë, ku është dëmtuar fizikisht arbitri deri në atë masë sa e bënte të pamundur vazhdimin e ndeshjes, dënohet me 4 (katër) ndeshje pa spektatorë, si edhe humbet me rezultatin 2-0”.
FemratPër herë të parë, KD-ja merr masa edhe për futbollin e femrave, ku ashtu si në sportin e kolegëve meshkuj, nuk ka munguar dhuna në fusha. Ekipi Dardania ka humbur 2-0 në tavolinë ndeshjen kundër “The Door”, “për goditje të arbitrit dhe veprime të cilat nuk kanë lejuar zhvillimin normal të takimit”, ndërsa pezullim shembullor ka pasur edhe për lojtaren e kësaj skuadre, Futura Dedoshi, e cila “për goditje me grusht të kundërshtarit, pezullohet me tetë ndeshje”.
#