E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spektakël, gola e barazim në Arsenal-Barça

Interi fiton 1-0 një ndeshje të shëmtuar ndaj CSKA-së, duke iu falur golit të Militos

Raste, kartona, gola, spektakël, por në fund vetëm një barazim 2-2 në Arsenal-Barcelona, që duket se ka kënaqur tifozerinë dhe të apasionuarit pas futbollin, sepse panë një nga ndeshjet më të bukura. Ndërsa në krahun tjetër Interi fitoi me vështirësi në një ndeshje jo të bukur ndaj CSKA-së, ku dominuan mbrojtjet dhe diferencën e bëri goli i Militos.

Arsenal rikuperon në minutën e fundit çesk Fabregas, të dëmtuar të shtunën në Premier League. Nasri e Arshavin luajnë në mbështetje të Bendtner. Ndërsa duhet të bëjë pa Injestën. Pedro këtë herë i merr vendin Henrit, që detyrohet të ulet në stol, ndërsa Ibra është titullar në krah të Mesit. Një ndeshje e shumëpritur, me dy skuadra që premtonin spektakël dhe nuk i kanë zhgënjyer parashikimet, mbi të gjitha blaugranët për të thënë të vërtetën, të cilët në veçanti në pjesën e parë kanë dominuar totalisht: Megjithatë Arsenali tenton të reagojë edhe pse iu dëmtuan Arsavin e Galas. Ndëshkimi me të verdhë i Fabregas do ta privojë “Gunners”-ast në ndeshjen e kthimit në Kamp Nou. Barcelona i ka vënë në rresht anglezët, duke arritur të godasë portën shumë herë. Por ai që u ka mohuar golin në këtë pjesë të parë ishte pikërisht portieri Almunia, i cili është treguar i jashtëzakonshëm. Por i mrekullueshmi Almunia i pjesës së parë, bën një gafë me një dalje të pastudiuar në “tokën e askujt” dhe Ibra e ndëshkon me një parabël pak sekonda pas fillimit të pjesës së dytë. Katalanasit krijojnë shumë dhe humbasin shumë, por Ibrahimoviç ka për të lënë edhe një firmë tjetër në këtë sfidë: Mbrojtja e “Topçinjve” hapet në minutën e 59, Ibra niset nga pozicioni i rregullt, bën disa hapa dhe lëshon një predhë, që përfundon poshtë kryqëzimit të shtyllave: një 2-0 shumë e rëndë për Arsenalin!! Por anglezët reagojnë dhe ngushtojë diferencën në minutën e 68 me Uollkot të sapofutur në lojë. Por në të 85-n, Pujol rezon në zonë Fabregasin dhe gjyqtari jep 11-metërsh, që vetë spanjolli i anglezëve, një ish i Barcelonës, e kthen në golin e barazimit 2-2. Ndërsa Pujol del me karton të kuq dhe do të mungojnë në Kamp Nou. Të dy ekipet tentojnë të japin maksimumin, por fërshëllima triherëshe e gjyqtarit i ndal në një barazim 2-2.
Murinjo zbret një formacion shumë ambicioz përballë CSKA-së në ndeshjen tjetër të së mërkurës: Milito, sulmuesi qendror, Pandev e Eto'o në krahë dhe Shnajder në mbështetje. Ndërkohë që trajneri i CSKA-së kundërpërgjigjet me sulmues të vetëm dhe me shumë mesfushorë në mbështetje të tij, mes tyre edhe talenti serb, Krasiç dhe japonezi Honda. Në pjesën parë u pa një Inter shumë i ngadaltë për të frikësuar CSKA-në e vendosur mirë në fushë dhe shumë e gatshme të ndërmarrë kundërsulme. Nuk është rastësi, që në një ndeshje të varfër nga emocionet, rasti i vetëm i rrezikshëm i zikaltërve ka ardhur nga një kombinim i shpejtë me Milito-Pandev-Sneijder. Një ndeshje e shëmtuar, e dominuar nga mbrojtjet, mbi të gjitha ajo ruse, e aftë të mos gabojë praktikisht asgjë në sulmet e Interit. Mirë Krasiç mes rusëve dhe i zakonshmi Shnajner te zikaltrit. Krasiç e Aldonin ndëshkohen me kartonë të verdhë dhe do të mungojnë në ndeshjen e kthimit. Pjesa e dytë ngjan thuajse me të parën. Të dy skuadrat kanë pak raste, por Julio Sesar e shpëton Interin nga një gol i sigurt në minutën e 54-t. 10 minuta më vonë Milito realizon më në fund, duke zhbllokuar ndeshjen. Interi humbet edhe një tjetër rast Pandev, që shmang portierin, por gjuajtja e tij që po shkonte e sigurt drejt rrjetës ndalet nga Bruzofski. Shnajder trondit në shtyllë, provojnë edhe Kambiaso e Stankoviç, por nuk ka më kohë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›