Arrestohet i dyshuari i dënuar dy herë për vjedhje
Një vajzë e re që punonte si banakiere në një lokal në Kombinat ka rënë pre e një grabitësi të dhunshëm, i cili pak kohë më vonë është arrestuar nga policia. Ngjarja ka ndodhur në orët e vona të tri netëve më parë, kur vajzës 22-vjeçare, e cila po kthehej në banesë, i ka dalë para një person dhe i ka marrë me dhunë çfarë kishte me vete. Burimet policore bënë të ditur se ngjarja është regjistruar në Kombinat. Sipas të dhënave hetimore, rreth orës 21.00 të së hënës, një vajzë e identifikuar me emrin Matilda Mile ka telefonuar në sallën operative dhe ka deklaruar se një person i ri i kishte vjedhur çantën me forcë, në të cilën kishte 4200 euro. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur patrullat e policisë së këtij komisariati, që kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur kërkimet për agresorin. Pa kaluar shumë kohë, kanë kontaktuar me vajzën 22-vjeçare, e cila është shoqëruar në ambientet e komisariatit për të dhënë deklarimin e saj. Nga ana tjetër ka nisur kërkimi për të riun, i cili është kapur disa orë më vonë. Vajza e re, e cila punon si banakiere në një lokal, ka deklaruar se sapo kishte dalë nga puna dhe po shkonte në shtëpi, kur ai i është afruar dhe me forcë i ka tërhequr çantën. Sapo ia ka marrë, ka ikur me shpejtësi. Pas kapjes së të dyshuarit, policia ka bërë ballafaqimin me vajzën e grabitur, e cila e ka njohur agresorin e saj, ndërkohë që është bllokuar edhe një sasi e parave të vjedhura. Sipas vajzës, në çantë ka pasur 4200 euro, që ia kishte dhënë i dashuri, të cilin e ka emigrant. Policia tha se i arrestuari është Amarildo Sinanaj, 22 vjeç. Sipas të dhënave, ai ka qenë i dënuar edhe dy herë të tjera për vjedhje. Madje, në njërin prej këtyre rasteve është dënuar pikërisht për vjedhje çantash me dhunë.
#