E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skënderbeun hero i katolikëve, historianët kundër deputetit kosovar

Skenderbeu_373190Prishtinë- Gjergj Kastrioti Skënderbeu ka qenë dhe është hero kombëtar. Këtë fakt nuk mund ta ndryshojë askush. Me deklaratat e deputetit Gëzim Kelmendi nuk ja vlen të merret asnjë studiues i mirëfilltë i historisë. Ky është mendimi që kanë disa nga historianët kosovarë.

Askush nuk ka të drejtë ti mohojë meritat dhe luftën që ka bërë Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Aq më pak një deputet i Kuvendit të Kosovës, siç është Gëzim Kelmendi. Ky është vlerësimi që kanë disa historianë kosovarë kur flasin për deklaratat e fundit të deputetit të Partisë së Drejtësisë, i cili e quajti Skënderbeun hero të katolikëve.

Madje ata janë të mendimit se një studiuesit e mirëfilltë as që ia vlen të merren me deklarata të tilla. Por, secili prej tyre pajtohet me një fakt se Skënderbeu ka qenë dhe është hero kombëtar, dhe se këtë askush nuk mund ta ndryshojë.

Frashër Demaj, drejtori i Institutit të Historisë së Kosovës, mendon se para se të flasin njerëzit në përgjithësi,duhet ta dallojnë se çfarë është kombi e çfarë është feja.

Skënderbeu është hero i gjithë shqiptarëve pavarësisht besimit, pavarësisht krahinës. Ai është simbol i formimit të nocionit shqiptar, thotë Demaj për Express.

Në qoftë se Skënderbeun e ka nderuar dhe e nderon e gjithë bota, pse duhet që ne të zgjohemi kundër veprës tonë dhe ta gjykojmë pa asnjë fije argumenti, pyet ai.

Prandaj mendon se zërat individual, siç është në këtë rast ai i deputetit Kelmendi, janë zëra të shterur.

Dhe me keqardhje e them që nuk do të duhej që ata njerëz të kenë këtë qasje, pavarësisht se jemi shumicë e besimit islam. Por ta akuzosh Skënderbeun si njeri që ka bërë luftë, përveç që është e paqëndrueshme është edhe e turpshme dhe tendencioze.

Sepse fundja, sipas Demajt, nuk është as ai vet e askush tjetër që vendos që duhet Skënderbeu të jetë apo jo hero kombëtar. Sipas tij, asnjë fakt historik nuk flet në favor të kësaj qasje që kinse se, Skënderbeu ka bërë luftë fetare.

Muhamet Mala, historian i mesjetës mendon se të gjithë ata që sot flasin në emër të islamit, me terme dhe fjalor denigrues ndaj harmonisë fetare dhe figurave kombëtare, duhet ta dinë që shqiptaret nuk janë nga sot mysliman, e që duhet ta mësojnë islamin nga ata.

Shqiptarët e pranuan dhe e kultivuan islamin shumë më herët dhe si i tillë ai nuk i prish portet vëllazërore nder shqiptarët e të gjitha feve. Tendencat për një islam të ri tjetër fare nga ai që e njohim nga tradita, nuk janë gjë tjetër por përpjekje për arabizëm të islamit që nuk përkon me traditën tonë , sqaron historiani Mala.

Kjo bëri që shqiptarët të ruajnë respektin ndaj krishterimit edhe kur shumica shqiptare u islamizua. Prandaj tendencat e një islami të predikuar tani nga disa qarqe bie në kundërshtim me mentalitetin, kulturën dhe historinë tonë dhe për ketë arsye janë pengese për ne si shqiptarë.

Ndërsa për Jajha Drançollin, gjithashtu historian, thotë se është fakt që Europa e periudhës së Skënderbeut, padyshim se i përkiste religjionit të krishterë.

Mirëpo, siç është e njohur jo vetëm në periudhën e Skënderbeut por edhe më vonë për Europën e Krishterë religjioni dhe kombi ishin një, sqaron Drançolli, sipas të cili Gjergj Kastrioti Skënderbeu nuk ishte vetëm hero kombëtar, por duke ia njohur idetë liridashëse, atë e ka edhe gjithë Europa.

E përmes saj e ka edhe bota të vetin.

Sipas historianit Bexheti, Skënderbeu është figura më e rëndësishme e mesjetës shqiptare dhe njëri nga personalitetet më të mëdha të shekullit të 15-të të Evropës Juglindore.

Ka qenë përfaqësuesi më i rëndësishëm ballkanik, i cili ka pas guxim të përballet me njërën nga fuqitë më të mëdha të asaj kohe, siç ka qenë Perandoria Osmane, vlerëson ai.

Sipas Bexhetit, Skënderbeu ka qenë i njohur në botën perëndimore e i harruar në botën shqiptare.

Marrë nga Ekspress

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›