E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendet i varur pas 4 ditësh 'biznesmeni italian'. Zhdukjen e denoncuan 2 të dashurat

DURRES -Një 50-vjeçar nga Tirana, është gjetur nga policia i varur me litar, 4 ditë pas zhdukjes, në apartamentin ku jetonte prej 2 vitesh në Durrës.
Në rrethana shumë të dyshimta, 50-vjeçari Haxhi Ismailaj, ose Rino di Fiore, me identitet të dyfishtë, me shtetësi shqiptare e nënshtetësi italiane, lindur në Tiranë e banues prej dy vjetësh në plazhin e Durrësit, është gjetur i varur në apartamentin që kishte me qira në lagjen 13 në Durrës. Burimet policore bënë me dije zyrtarisht, se zhdukjen e tij gjatë katër ditëve e kishin denoncuar dy gra në polici. Ndërsa në datën 8 qershor, ditën që dyshohet se është kryer akti i vetëflijimit, një tjetër femër e ka denoncuar 50-vjeçarin për plagosje të lehtë. Policia po heton intensivisht për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa paraprakisht dyshohet se kemi të bëjmë me vetëvarje, megjithatë nuk përjashtohet edhe pista e vrasjes.
NGJARJA
Rreth orës 11:00 të paradites së djeshme, inspektorë të krimeve dhe efektivë të postës së policisë në Plazh, të shoqëruar nga një mik i 50-vjeçarit, kanë hapur derën e apartamentit të katit të tretë, pranë sektorit Iliria, ku prej 2 vitesh Di Fiore jetonte vetëm. Ai është gjetur i varur me një litar në dhomën e gjumit, i dekompozuar, ndërsa në shtrat kanë qenë dy telefonat celularë, një me numër shqiptar dhe tjetri italian. Në xhepat e pantallonave të tij është gjetur një kartë identiteti dhe pasaportë me emrin Rino di Fiore, me datëlindje 11.03.1963. Në sendet personale i është gjetur edhe një licencë për ndërtimin e një HEC-i në zonën industriale në Porto Romanos të qytetit të Durrësit, për prodhimin e energjisë elektrike nga lëndë plastike të riciklueshme. Trupi i është nënshtruar për më shumë se një orë ekspertizës nga inspektorët e krimeve, të cilët kanë punuar edhe për mbledhjen e gjurmëve në apartamentin e tij. Më pas trupi është dërguar në morgun e qytetit të Durrësit.
DENONCIMET
Policia e qytetit bregdetar ka bërë me dije zyrtarisht se dy gra kanë kryer denoncim për zhdukjen e 50-vjeçarit prej katër ditësh, ndërsa një tjetër ka bërë kallëzim ditën e shtunë në mëngjes për plagosje të lehtë, pasi sipas saj, ishte goditur e dhunuar nga 50-vjeçari. E para femër që ka denoncuar zhdukjen e 50-vjeçarit është nga qyteti i Beratit. Ajo ka deklaruar në polici se ishte e dashura e tij dhe e njihte si shtetas shqiptar me emrin Haxhi Ismailaj. Në mungesë të përgjigjes në celular, ajo i ka kërkuar një mikut të tyre të përbashkët të bënte denoncimin në policinë e Durrësit. Ndërkaq, zhdukjen e tij e ka denoncuar edhe një grua tjetër me banim në Itali, e cila kishte një fëmijë të mitur me viktimën, i cili është me status beqar. Femra e tretë denoncuese është bashkëpronarja e aktivitetit të prodhimit të energjisë elektrike, e cila e ka njohur si shtetas italian. Denoncuesja, në kallëzimin e bërë ka thënë se është bashkëpronare në aktivitetin që të dy kanë dashur të hapin, për prodhimin e energjisë elektrike, por 50-vjeçari ka marrë para prej saj dhe nuk e kanë nisur aktivitetin. Të shtunën ata janë grindur. Rino di Fiore, sipas saj e ka qëlluar e goditur, dhe është konsideruar plagosje e lehtë.
HETIMET
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 50-vjeçari vite më parë ka ndërruar identitet dhe ka marrë nënshtetësinë italiane. Ai hiqej si biznesmen italian në Shqipëri. Në kontrollin që i është bërë në automjetin në pronësi të tij, janë gjetur një numër i madh letrash të shkruajtura prej tij. Në një letër ai kishte shkruar të gjitha borxhet që kishte ndaj personave të ndryshëm, që sipas policisë janë në shuma të konsiderueshme. Në letrat e tjera jepte edhe amanetet, ku makinën ia linte një shoku të tij, që i kishte borxhe, ndërsa linte porosi për rritjen e djalit të tij, për shpenzimet e varrimit, kush do ta varroste etj. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›