E Diel, 1 Nëntor 2026

Vera Bekteshi: Babai firmosi për shpëtimin e 30 hebrenjve

Vera Bekteshi, vajza e gjeneralit Sadik Bekteshi, në një rrëfim të veçantë për “A Show” tregon historinë e jetës së saj dhe dokumentin e firmosur nga i ati për të shpëtuar 30 hebrenj nga përndjekja e nazistëve.
Adi Krasta: Në Tiranë, Tirana është e aftë të përflasë shëmtuar nganjëherë, por është e aftë që të përflasë mençurisht nganjëherë. U prit dhe ishte thuajse totalisht e sigurt që në SHBA do të shkonte zv.ambasadore një grua. Do të ishte e këndshme, me gjuhë të huaja, fizikante, shkrimtare, publiciste, për të përfaqësuar këtë vend. Çfarë ndodhi?
Vera Bekteshi: Atëherë, u bë kohë që kjo punë është prishur. Domethënë, në gusht të vitit 2009 u emërova nga ministri i atëhershëm, Basha, zv.ambasadore, u akreditova në ambasadën amerikane dhe në momentin që do të merrte familja vizën, më thanë pa më lajmëruar fare, që ti je hequr nga lista, pa më thirrur, pa asnjë shpjegim. Absolutisht pa thënë asgjë.
Adi Krasta: Si me thënë, një sjellje tipike joshtetërore do të kisha thënë unë.
Vera Bekteshi: Jo njerëzore. Njeriut në këtë rast i bën një dëm të madh moral, por edhe shëndetësor, sepse ka njerëz që, unë nuk isha shumë e përgatitur në kuptimin që karrierën time e kam realizuar, por për mua ishte një nder që të shkoja në këtë detyrë, do të zgjidhja edhe disa probleme familjare dhe do ishte një gjë e mirë për mua dhe familjen time ta mbyllja atje karrierën në shtet e pastaj të vazhdoja të shkruaja. Por nuk qe e thënë, do gjejmë një mënyrë tjetër thashë, për të zgjidhur ato probleme. Sido që të jetë, as më kërkuan falje e as më shpjeguan asgjë. U shua dalëngadalë, më caktuan në një detyrë tjetër në New York, më premtuan dhe asnjë fjalë. Heshtje.
Adi Krasta: Do ta lë në heshtje me idenë që dikush, dikur do t’i vijë pak turp dhe ndoshta do të të japë një shpjegim e mbase do të të çojnë ambasadore të mirë në Amerikë ose diku tjetër, sepse do të ishte kënaqësi të komunikonin me ty, por në këtë rast duhet të merrem me shkrimtaren. Si shkrimtare ti je gati për të çuar në panair, që fillon shumë shpejt, librin e dytë “Një det i Moçëm” bën një lloj ekzaminimi të së keqes, kur njerëzit nuk janë shumë të ndërgjegjshëm që e keqja ekziston. Ç’më thua për këtë Vera, nga e ke marrë shtysën?
Vera Bekteshi: E keqja është vazhdimisht prezente në shoqërinë njerëzore dhe gjithë kohës kjo, që nga lashtësia, lufta mes të mirës dhe të keqes ka ndodhur, midis Zotit dhe djallit. Po ky libër është një libër me tregime, ka rreth 20 të tilla, kryesisht nga e tashmja, por ka edhe nga e kaluara. Është mospajtimi me të keqen më shumë, filli kryesor i librit, një lloj rezistence ndaj së keqes. Personazhet e këtij libri nuk janë heronj, janë njerëz të thjeshtë, por që shtrihen që nga klasat më të ulëta, gati injorantë, njerëz me shtatë klasë. Ka një personazh të tillë, por që është një punëtor i thjeshtë, shumë interesant, që ka punuar në televizion, në mirëmbajtje, por që ka një personalitet të jashtëzakonshëm dhe prej atij duhet të marrim shembull. Atëherë, këta janë personazhe të thjeshtë, që nuk është se e mundin të keqen, nuk e mund dot të keqen, por të paktën përpiqen të mos i nënshtrohen.
Adi Krasta: Ti ke një sy klinik si shkrimtare, çdo shkrimtar e ka dhe kam përshtypjen që ti observon me kujdes kur hyn në një ambient, për shembull në mënyrë të rastësishme, në një bar, pub, restorant, në një ambient çfarëdo, je në gjendje që të fiksosh çfarë ka ndodhur dhe të dallosh natyrat e njerëzve dhe elemente të vegjël të parëndësishëm?
Vera Bekteshi: Përgjithësisht dalloj, edhe objektet, fizionominë, edhe veshjet, në përgjithësi kam sy të mprehtë.
Adi Krasta: Përmende një sekond burrat dhe gratë, në këtë libër cilët personazhe janë më të spikatur dhe më të rëndësishëm, që i ke dhënë ti një vlerë, kam përshtypjen gratë?
Vera Bekteshi: Atëherë, këtë libër kam përshtypjen se do e pëlqejnë më shumë gratë. Për arsye se jam marrë më shumë me to dhe ka shumë personazhe grash, përgjithësisht të forta, të lira, ka diku, diku edhe personazhe të këqija grash, sepse nëse do i bësh vetëm personazhe të mira gratë, ti në një farë mënyre u ke hequr emancipimin atyre, sepse kush mbrohen, fëmijët dhe gratë përgjithësisht dhe në socializëm, përgjithësisht gratë nuk i kritikonin, i konsideronin të dobëta. Gruaja është gjysma e shoqërisë dhe pastaj ka edhe gra që i njohim nga historia. Absolutisht nuk jam feministe, edhe ne në Shqipëri kemi njohur gra ekstremisht të egra, të pamëshirshme, pa pikë humanizmi. Gratë do ta pëlqejnë përgjithësisht librin, por ka një lloj kontradikte që tregimet më të mira, sipas meje dhe sipas atyre që i kanë lexuar, redaktorit, korrektorit, ndonjë miku a mikeshe, janë me botë mashkullore, s’kanë personazhe femërore, që është “Një det i Moçëm”, “Pranverë e Ndalum”, “Dyfytyrësia”, por kjo nuk do të thotë që unë kam përshtypjen se burrat janë më të aftë, s’e kam patur kurrë këtë gjë, as në familje e as në shoqëri, por padyshim që burrat janë më të suksesshëm, se edhe kanë mundësira më shumë. Jemi patriarkatë, ku gratë kanë hequr shumë për të fituar të drejtën e votës, edhe sot ka ende vende ku gratë nuk votojnë.
Adi Krasta: Dua të kthehem në një tjetër pasion dhe shtysë tënden, që është mjedisi. Kam përshtypjen që do ta lidh edhe me një shëndet psikik të shqiptarëve në raport me mjedisin, ka një amnezi, ka një harrim, ka një mungesë ndjeshmërie, ka një mosinteres në raport me mjedisin në Shqipëri. Çfarë përshtypje të bën kjo gjë?
Vera Bekteshi: Unë jam përfshirë në lëvizjen e parë mjedisore që në vitin 1991, pastaj edhe në punë kam qënë gjithnjë shefe e sektorit të cilësisë së ajrit në Institutin Hidro-Meteorologjik, po ashtu përgjegjëse e njësisë në Fondin Shqiptar të Zhvillimit, tani në qendrën ku punoj, merrem përsëri me mjedisin, jo vetëm nga avokacioni të themi, por edhe si profesion, fizikë e zbatuar që gjen fushë në mjedis.
Adi Krasta: Po e shkatërrojmë këtë Shqipëri? Apo kjo është një blasfemi gjysëm romancë, që ne përkëdhelim veten dhe bëjmë një lloj viktime?
Vera Bekteshi: Tani, që të flasim drejt dhe realisht, zhvillimi sjell edhe çzhvillimin, që do të thotë, me të gjitha ndërtimet e bëra në botë, i jemi larguar natyrës së mirëfilltë siç është një det i lashtë ku unë e përshkruaj. Tregimi i parë është një lloj tregimi mjedisor, si formohen karakteret mashkullore pranë detit, se deti është shumë i fuqishëm, ndikon mbi njerëzit që rriten aty. Po, mua më duket se shpesh bëjmë edhe show, artificialisht përpiqemi, megjithatë unë mendoj se ka një ngritje të lëvizjes mjedisore nga shoqëria civile, por edhe nga publiku në përgjithësi, ka një lloj ndjeshmërie.
Adi Krasta: Të duket e izoluar lëvizja?
Vera Bekteshi: Jo. Nuk është e mjaftueshme absolutisht, por mua më duket se gjithnjë e më shumë njerëzit po ndërgjegjësohen. Tani, në ndryshim me vendet e tjera, kryesisht me ato veriore, ne si individë që jetojmë në Ballkan dhe aq më tepër në Mesdhe nuk bëjmë dialog me natyrën. Jo, ne jemi njerëz llafazanë pranë diellit, bëjmë dialog me njëri-tjetrin, nuk e bëjmë këtë me natyrën. Po të shohësh edhe shkrimtarët e mëdhenj veriorë, Çehovi, për shembull tregimi “Stepat”, një kryevepër, është një përshkrim i të gjitha ngjyrave, aromave dhe zhurmave të stepës, në një mënyrë të jashtëzakonshme. Ose kam lexuar një tregim të nobelit anglez, Doris Lesing, një dialog i vërtetë me natyrën. Ne shqiptarët nuk e kemi as në kulturë të bisedojmë me pyllin, ta zëmë, e shumta me detin. Është edhe çështje vendndodhjeje gjeografike, por edhe çështje ligji. Ne ligjet e mjedisit nuk i kemi goxha të mira, po punohet për një draft të ri që do të përmirësohet, puna është se nuk zbatohen. A e ke parë në Shëngjin sesi është afruar deti, ka ardhur deri tek pylli, nuk janë ndryshimet klimatike, se bëjnë edhe gafën duke i cilësuar si ndryshime klimaterike, edhe gazetarë madje. Kjo ndodh ngaqë shtrati i lumenjve është shkatërruar dhe i gjithë materiali që do të sjellë lumi në det është gërryer, atëherë deti futet, ndoshta nuk është një proces kaq e thjeshtë, por në vija të përgjithshme kështu ndodh.
Adi Krasta: Kam përshtypjen se është ende e pastabilizuar si marrëdhënie, sidoqoftë të gjithë kanë të drejtën të nxjerrin eksperiencat e tyre dhe të ndryshojnë si ata e mendojnë të arsyeshme. Dua të të tregoj një dokument të vitit 1945, i cili mban firmën e babait tuaj, gjeneral Sadik Bekteshit, kur ai është ngarkuar për të shoqëruar dhe shpëtuar 30 hebrenj që donin të largoheshin nga Shqipëria në atë vit, duke patur parasysh që Shqipëria ka patur një komunitet të mirëformuar hebrenjsh, që sot aktualisht jetojnë në Izrael. A mund të më thuash sesi ka ndodhur kjo ngjarje tejet interesante?
Vera Bekteshi: Habitem se ku e ke gjetur, se mua personalisht tani së fundmi më ka rënë në dorë. Unë u gëzova shumë që kjo kishte ndodhur. E dija nga babai, ma kishte thënë fare shkarazi, dy aspekte në kohën kur ka qënë shefi i kabinetit të ushtrisë në kohën kur shkruhet në dokument, sesi ka lëshuar një autorizim për 30 hebrenj që do të dilnin nga Shqipëria të shoqëruar nga dy persona të UNHRC-së. Emrat janë të shkruar aty, njëri ishte mjek. Dhe personi që ma dha, dhe që e falenderoj, Agron Alibali që e ka gjetur në Amerikë, më tha se numri 11 është një nga themelueset e Memorialit të Holokaustit në Washington dhe ajo ka ikur nga Shqipëria e është në listë. Janë nënë, babë dhe ajo. Duke shkuar më tej, unë hyra në internet dhe për habinë time nuk del asgjë me emrin e kësaj vajze, nuk e di sesi po nga dëshira e madhe e gjeta dhe tani ajo mban emrin Johana Newman. Ajo është mikeshë e Shqipërisë, do e vizitojë atë edhe për 28 Nëntorin dhe ka thënë diçka shumë interesante, që iu vlen edhe Shqiptarëve. Është një shprehje pak a shumë universale, sepse e vërteta është që familja që e ka shpëtuar atë në Durrës, nga viti 1939 deri në shtator të 1945 kur lëvizën nga Shqipëria, ka qënë familja Pilku. Çudia më e madhe është që gruaja e Pilkut ishte me prirje naziste, me foton e Hitlerit në shtëpi dhe ka pasur baba, vëllezër të njohur si nazistë në Gjermani. Ajo e dinte që ishin çifutë dhe porositi edhe fëmijët që të mos tregonin, por të thoshin se këta janë kushërinjtë tanë që kanë ikur nga bombardimet. Pra, brenda natyrës njerëzore përplasen erëra të çuditshme.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›