E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skica është vepër

Kritikë e botuar në të përditshmen beogradase “Danas” për pjesën teatrore “Fluturimi mbi Teatrin Kombëtar të Kosovës” të Jeton Nezirajt, shfaqur në Beograd me aktorët Arta Selimi, Imer Mushkolaj dhe Shpëtim Selmani.

Papërfundueshmëria apo paperfektshmëria, vrazhdësia, varfëria dhe modestia – këto janë parakushte (të domosdoshme, jo edhe të mjaftueshme) që estetikja në teatër të bëhet politike. E vërteta është se përveç kësaj injorohet tërë ai iluzioni rokoko, i akumuluar me shekuj, studiuar dhe admiruar për shkak të të cilit shkohet në teatër sikurse në një pritje diplomatike (edhe shikuesi atëherë ndihet ekskluzivisht i nderuar, thënë më saktësisht, i ledhatuar).

Pra, e vërteta është se papërsosshmëria e pjesës teatrore, papërshtatshmëria e stilit dhe modestia e pajisjeve nuk përfillin në një shfaqje teatrore krejt çfarë është e tepërt, në mënyrë që të vihet në pah ajo e domosdoshmja - njeriu, e jo pasuria si qendër e botës dhe aktit teatror – deri në atë masë sa godinat teatrore dhe skenat as që janë të nevojshme. Skena gjendet atje ku audienca bëhet publike (ky qëllim është i qartë në emër të publikut), kurse publiku është gjithmonë heretik krahasuar me rrjedhjen e parave dhe bartjen e pushtetit.

Teatri elizabetian, shekspirian dhe antik helen e kanë ditur sa pak mjete nevojiten në mënyrë që në skenë të paraqitet përmbajtja kryesore dhe shikuesit janë kthyer në publik. Megjithatë, sot edhe tragjeditë klasike greke edhe ato të Shakespeare’it i shohim kryesisht të luajtura në formë spektakli romak apo barok.

Papërfundueshmëria tregon edhe nevojën për tejkalimin e gjendjes aktuale dhe mospërmbushjen e detyrës politike. Sikurse ata që sot, duke folur në emër të 99 për qind të popullatës, protestojnë dhe arrestohen në rrugët dhe sheshet e tetëdhjetë qyteteve të mëdha të botës, secili artist aktivist ose aktivist artist shpreson që vepra ose aksioni i tij do të arrijë më shumë se qëllimin që ia ka parashtruar vetes. Për këtë arsye shfaqja e teatrit politik asnjëherë nuk është një tërësi e rrumbullakësuar, por një vektor. “Hekurosja” e çdo pjese të shfaqjes nuk do të thotë asgjë tjetër përveçse humbje kohe dhe zvarritje veprimi. Shfaqja politike lind shpejt dhe ndikon menjëherë. Kjo assesi nuk do të thotë se trupi dhe zëri, imagjinata dhe arsyeja e aktorëve nuk durojnë përpjekjet maksimale.

Po që se do të prezantohej në stilin patëmetë dhe plot shkëlqim, shfaqja politike do të merrte një zakon kundër të cilit luftohet, për shkak se çfarëdo përmirësimi i këtij lloji, si përkryerje në thelb e të njëjtit, na kujton mekanizimin e fabrikës i cili idiotizon punëtorin dhe nuk lejon kurrfarë improvizimi.

Glamuri në teatër është mënyra më e mirë për likuidimin e përmbajtjes politike dhe jo vetëm glamuri, por edhe gjithçka që është shpenzuar në detajet dekorative. Çdo pagesë për atë të parëndësishmen sot llogaritet ose në gjëra ushqimore për aq ditë sa një fëmijë sudanez do ta zgjaste jetën e tij, ose si fitim i një të miture kineze e cila në atë vend komunist, për shembull, në një fabrikë private rropatet për tregun amerikan, duke punuar nga pesëmbëdhjetë orë në ditë.

Kur merren parasysh të gjitha këto, është e qartë se edhe skica e dramës në skenë mund të jetë shfaqje politike par excellence, madje, skica mund të jetë edhe formë ideale e tekstit politik dramatik. Ajo kursen kohën dhe nuk jep pesë para për dekorimet.

Një skicë e tillë drame e Jeton Nezirajt, në kohëzgjatje prej njëzet minutash, u luajt nga tre aktorë prishtinas në Qendrën për Dekontaminim Kulturor.

E titulluar “Fluturimi mbi Teatrin Kombëtar të Kosovës – Shpallja e Republikës së Kosovës”, skica është pjesë e dramës “Newborn” (I porsalinduri) që flet për vështirësinë dhe nderin e drejtorit të Teatrit Kombëtar të Prishtinës të cilit nga pushteti, më 2008, i jepet detyra të përgatisë një shfaqje për epopenë e popullit shqiptar në Kosovë, kurse premiera do të jepet atë ditë që do të shpallet Republika e Kosovës. Nuk dihet saktësisht se kur do të ndodh kjo, ndoshta nesër, ndoshta pas një ose dy muajsh.

Po ashtu, në shfaqje duhet të përfshihet edhe fjalimi i kryeministrit të shtetit të ardhshëm të pavarur. Natyrisht, fjalimi nuk është shkruar ende, kurse aktorit do t’i jepet në ditën e premierës. Dhe ajo ditë vjen. Drejtori i teatrit ka pasur kohë të mjaftueshme që të përgatisë shfaqjen, e cila gjatë tri orëve tregon ngjarje të njohura nga historia e kombit. Në çastin e paraparë në shfaqje, aktori fillon të thotë bisedën solemne të kryeministrit. Dhe në një moment të aktit më solemn të kombit, aktori ndalon së thëni tekstin e mësuar përmendësh dhe nis të flasë “nga vetja”, në emër të 99 për qind të banorëve të Kosovës. Spektaklin kombëtar që promovon të fortët e gëlltit vrima e zezë e jetës së përditshme të qytetarëve të rëndomtë. Kryeministri braktis shfaqjen.

Duke lexuar ose folur përmendësh, tre aktorët, herë në rolin e narratorit e herë si aktorë të teatrit prishtinas, ose edhe në rolin e sekretarit të Ministrisë së Kulturës, luajtën, në hapësirë të zbrazët këtë skicë drame edhe komike, edhe tragjike dhe çfarëdo që nga ajo të krijojë Jeton Neziraj, është e qartë se në intensitetin e saj politik tashmë të arritur, vështirë se mund të kontribuojë çfarëdo ekstensioni dramaturgjik.

Papërfundueshmëria, vrazhdësia dhe varfëria në këtë gjest teatror janë reciproke me përditshmërinë, jokomoditetin, sikletin dhe mjerimin e shumicës së njerëzve që jetojnë edhe këtu, edhe në Kosovë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›