E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skizofrenia artistike e Aragonit

"Aragoni dhe arti modern", ekspozohet në Paris. Detaje interesante për qëndrimet që ka mbajtur shkrimtari i grupit surrealist që përqafoi me pasion idetë komuniste


Louis Aragon (1897-1982) e përshkoi shekullin me zigzage. Pjesëtar i grupit parizian Dada, menjëherë nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, ai është një nga themeluesit e grupit surealist, më 1924. Atëhere, trajektorja e tij është e shpejtë dhe e drejtë: jepet pas të panjohurës dhe aventurave artistike, poetike e erotike. Më 1924, edhe pse vetëm 27 vjeç, ai ka guxuar dhe rrezikuar shumë që të mund ta ndiqte këtë shtjellë. Por në fillim të viteve 1930, trajektorja ndërron rrjedhë dukshëm.


Ose, le të themi, ajo ndahet në dy drejtime të ndryshme. Njëri drejtim është i boshtit të dekadës paraardhëse: mbrojtja e surealizmit dhe, përgjithësisht, e modernitetit në pikturë dhe e heronjve të tij Picasso, Picabia, Ernst, Tanguy, Miro, Arp apo Giacometti.
Tjetri merr kthesë për nga realizmi në art. Pas Luftës së Dytë Botërore, ky drejtim shkon përmes mbrojtjes së realizmit socialist sovjetik dhe artistëve frëng të cilët përpiqen ta aplikojnë apo t'i qasen. Qoftë edhe në një përzierje të çuditshme: Fougeron, Taslitzky, Gruber, Buffet apo Lorjou. Në tekstet që u kushton atyre, Louis Aragon është drejtues i vetëdijes artistike të Partisë komuniste franceze dhe drejtor i redaksisë "Lettres françaises" e cila glorifikon linjën e Moskës. Është e qartë që këto dy drejtime janë kontradiktore.

A është e mundur të duash njëherësh lehtësinë e Miro-së dhe densitetin e Lorjou-së?
Ekspozita e Musée de la Poste nuk fsheh asgjë për këtë situatë. Në gjithë sallat e saj, përplasjet estetike janë të dhunshme dhe vështrimi i vizitorit detyrohet të kalojë pa ndërprerje nga një sallë e bukur surealiste në një sallë të trishtueshme realiste socialiste.
Seria e vizatimeve nga koleksione private dhe publike ilustron preferencat e Aragonit dhe ia del, ndonjëherë, të paraqesë vepra që i pati në pronësi apo që i ka njohur nga afër. Më e famshmja është versioni i vitit 1930 i Xhokondës "korrigjuar" nga Duchamp-i, me titullin L.H.O.O.Q.
Një dhomë rindërton pjesërisht interierin e Aragonit në vitet e fundit të jetës, muret të veshur me fotografi, dokumente, riprodhime të ndryshme: është interesante të analizosh detaje. Pikturat janë atje si një sugjestion: u përkasin artistëve që Aragoni i ka ngritur në qiell. Ai ka shkruar pothuajse për të gjithë bashkëkohësit e tij më të mirë, dhe kjo krijon një antologji joshëse, me shumë detaje të përpikta nga Max Ernst dhe Pierre Roy.

Mbetet vetëm sikleti që krijon spektakli i një shkrimtari i cili rregullisht përdor retorikën kur lavdëron qoftë Fougeron qoftë Matisse-in.
Njëherë, më 1953, akrobati ra nga trapezi.
Kishte porositur Picasson për një vizatim për nder të Stalinit që sapo kishte vdekur, dhe boton në "një" nga "Lettres françaises" kokën e stilizuar të një Stalini të ri me vështrim roman dhe mustaqe kelte. Zemërim te abonentët, militantët e Komitetit Qendror. Aragonit iu desh të kërkojë falje publike për këtë "gabim". E zbatoi dhe pastaj iu kthye rrjedhës së skizofrenisë artistike, sikur të mos kish ndodhur gjë.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›