E Diel, 1 Nëntor 2026

Svoboda: Zgjidhni krizën, ndryshe nuk ka as BE e as viza

BRUKSEL - Nëse klasa politike shqiptare nuk zgjidh sa më parë krizën politike, atëherë pasojat do të bien mbi procesin e integrimit të vendit në BE, dhe mbi heqjen e regjimit të vizave. Ky është alarmi që ka ardhur dje nga nënkryetari i grupit parlamentar të partive socialdemokrate në Parlamentin Europian, Hanes Svoboda, i cili vuri në dukje se nëse Shqipëria nuk zgjidh situatën politike, marrëdhëniet e saj me Bashkimin Europian do të kenë probleme të mëdha, përfshirë edhe procesin e liberalizimit të vizave.


Svoboda, i cili ishte njëri prej të pranishmëve në darkën e Strasburgut specifikon gjithashtu se BE-ja pret një sinjal pozitiv nga ana e Shqipërisë, që kjo e fundit të përfitojë nga heqja e regjimit të vizave dhe integrimi në BE. "Ne nuk do të ndalojmë iniciativën tonë derisa të kemi një zgjidhje dhe Shqipëria duhet ta dijë se pa zgjidhje, zhvillimi i marrëdhënieve me Bashkimin Europian do të ketë shumë, shumë probleme, duke përfshirë këtu dhe çështjen e liberalizimit të vizave. Nuk është qëllimi ynë të kërcënojmë, por të tregojmë rrugën për liberalizimin e vizave dhe negociatave për anëtarësim, dhe për këtë ne presim që Shqipëria të japë po ashtu kontribut", - tha dje Svoboda për mediat.


Me gjithë rekomandimin pozitiv që dha dje Kolegji i Komisionerëve për liberalizimin e vizave shoqëruar me kërkesën për plotësimin e kritereve të mbetura, Svoboda thekson se Bashkimi Europian mund të bllokojë heqjen e vizave nëpërmjet Parlamentit Europian, nëse liderët politikë nuk zgjidhin ngërçin politik. Sipas Svobodas, Parlamenti Europian është institucioni që do të miratojë rekomandimin e kolegjit të komisionerëve dhe nëse në Shqipëri nuk rikthehet stabiliteti politik përmes kompromisit politik, atëherë Parlamenti Europian mund të veprojë duke hedhur poshtë me votat e anëtarëve të tij rekomandimin për heqjen e vizave me Shqipërinë. Nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë Bosnje -Hercegovina do të përfitojë e vetme nga procesi i liberalizimit të vizave. "Ne duhet të vendosim për liberalizimin e vizave.


Pa Parlamentin Europian, liberalizimi i vizave nuk bëhet", - u shpreh Svoboda. Ky kërcënim i nënkryetarit të partive socialdemokrate në PE, pason atë të 19 majit të krerëve të grupeve kryesore parlamentare në Parlamentin Europian, Xhozef Daul dhe Martin Shulz, të cilët përmes një letre i kërkonin Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të opozitës, Edi Rama, zgjidhjen sa më shpejt të krizës politike dhe se vijimi i saj do të shoqërohet me ndërprerje të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Për këtë aryse, në darkën e Strasburgut, përfaqësuesit e institucioneve të Bashkimit Europian u lanë dy javë kohë krerëve politikë shqiptarë për të zgjidhur krizën politike, ndërkohë që dje kreu i qeverisë shqiptare mohoi ekzistencën e një ultimatumi të tillë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›