Shumë zhurmë për asgjë në Peqin

Fshihet nga "kujtesa" edhe ngjarja e Peqinit, që për disa ditë "zaptoi" shtypin e median shqiptare me incidentet e saj në dhomat e zhveshjes gjatë takimit Shkumbini-Besa (1-0) e vlefshme për javën e 4-t të Kategorisë Superiore, ku pati akte dhune mbi futbollistin kavajas Bekim Kuli(carje në buzë), ndërkohë që sipas mediave pati edhe një konfrontim midis trajnerit të Besës, Ilir Daja e deputetit të PD-së, Dashnor Sula, që solli më pas edhe shoqërin e ish-trajnerit të Dinamos në komisariatin e Policisë së Peqinit. Por, sipas Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit cështja është arkivuar. "Për ndeshjen Shkumbini-Besa, sipas raportit të Inspektoratit të Disiplinës rezulton se asnjë nga palët nuk kanë pranuar të prononcohet lidhur me ngjarjen. Komisioni i Disiplinës e pa të arsyeshme për mungesë faktesh dhe pamjesh dhe duke mos pasur ankese nga Klubi Besa vendosi të mos marrë asnjë mase në lidhje me këtë cështje", - shkruhet në vendimin e Komisionit të Disiplinës, të datës 1 tetor 2008. Në fakt, përvec ndonjë deklarimi të deputetit Dash Sula në "Alsat Tv" dhe një ndërhyrje të presidentit të Besës, Bizhdili po në "Skaner kampionat" e prononcimit pa emra të Kulit në shtyp, tekniku i Besës refuzoi gjatë gjithë kohës të "zbardhte" atë që ndodhi në dhomat e zhveshjes. Dhe në këtë rast vendimi i Komisionit të Disiplinës, i cili vendos mbi bazën e procesverbalit të delegatit të ndeshjes është i drejtë.
"Lamtumirë Kupë!
Në fakt i kishin dhënë vetë "lamtumirën" Kupës së Shqipërisë, me mosparaqitjen e tyre në ndeshjet e turit të parë paraeliminator, por ekipet e kategorisë së dytë: Veleciku, Egnatia e Pojani, jo vetëm që humbën ndeshjet në tavolinë (2-0), i përjashtuan edhe vitin e ardhshëm nga pjesëmarrja në Kupën e Shqipërisë.
Gjoba të majme
Në ndeshjet Lushnja-Dinamo (Kategoria Superiore) e Burreli-Skënderbeu (Kategoria e Parë) për hedhje të sendeve të forta në fushë, në bazë të nenit 24/16 të Kodit të Drejtësisë Sportive, klubi i Lushnjës dhe ai i Burrelit u gjobitën me 50 mijë lekë.
Edhe klubi i Skraparit për të njëjtin motiv, për hedhje sendesh të forta gjatë ndeshjes Skrapari-Gramozi (Kategoria e Parë) u gjobit po me 50 mijë lekë.