Skuadrat në kundërsulm: Formula 1 është e jona
Skuadrat e Formula 1 janë bashkuar dhe tregojnë se nuk do të frikësohen nga provokimet e Maks Moslit, e as nga tentativat e Berni Ekleston, që synon t‘i përçajë. Në një takim të zhvilluar në aeroportin londinez të "Hethrou", të drejtuar nga Luka Montezemolo, FOTA (asociacioni i skuadrave) vazhdoi punën, duke studiuar variantet e mundshme për uljen e kostove në F1. Vendimet u morën në unanimitet, në një klimë të cilësuar nga protagonistët si "mjaft konstruktive". Masa e parë e aprovuar, e cila hyn në fuqi që prej këtij sezoni, është ulja e ndjeshme e testeve aerodinamike. Në këtë mënyrë u kalua pengesa e pajisjeve të ndryshime që ishin në dispozicion të skuderive. Detajet janë ende të panjohura, por ata që zotërojnë galeri ere të modelit 1/1, do të zhvillojë më pak orë testimesh se ata që kanë impiante me shkallë të ndryshme. Megjithatë, rezultati më i rëndësishëm është ai që lidhet me kërcënimin e Moslit që te Formula 1 të përdoret motor i njëjtë. U vendos që prej vitit 2010 deri më 2012 të punohet për ndërtimin e një transmisioni "low cost", i cili duhet të zgjasë për gjashtë gara e që kushton 1.5 milionë euro copa. Ky sistem do t‘i shtohet motorit të konstruktorëve (me vlerë 5 milionë euro në sezon) dhe përjashton përdorimin e markës "Cosworth" të propozuar nga presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit. "Disfata" e Moslit cilësohet e rëndë, pasi asnjë prej skuadrave pjesëmarrëse nuk e pranoi propozimin. Përdorimi i motorit të njëjtë, të prodhuar nga marka angleze, mund të realizohet vetëm nëse në aktivitet regjistrohen skuadra të tjera. Mes të tjerave FOTA do të punojë te rregulloret teknike, për të zëvendësuar materialet e cilësuara si tepër të shtrenjta.