Elbasani "rrëmben" Eleandro Pemën
Elbasani vazhdon të jetë mjaft aktiv në këtë merkato dimri. Pavarësisht problemeve ligjore të presidentit Arben Laze, verdheblutë vazhdojnë të përforcojnë kontingjentin për gjysmën e dytë të kampionatit. Afrimi i bujshëm i mbrojtësit Nevil Dede është shoqëruar nga një tjetër blerje cilësore: ajo e sulmuesit Eleandro Pema. Lojtari i talentuar ka firmosur gjatë mesditës së djeshme me klubin dhe do të vihet menjëherë në dispozicion të trajnerit Mirel Josa, për pjesën e mbetur të edicionit. Në fillim të sezonit 2008/‘09, Pema ishte pjesë e Flamurtarit, por për shkak të kontradiktave me drejtuesit e klubit vlonjat, ai prishi në mënyrë të njëanshme kontratën. Për ish-sulmuesin e Dinamos dhe Tiranës, në këtë merkato dimri interesohej edhe Partizani, që synon të përforcojë skuadrën për fazën e dytë të Kategorisë Superiore. Megjithatë, Pema ka preferuar aventurën në Elbasan, ku do t‘i duhet të konkurrojë për një vend titullari me Skerdi Bejzaden, Fjodor Xhafajn dhe Oriand Abazajn.