E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skualifikohet Hemilton, Truli sërish i treti

Gara e parë e Botërorit 2009 të Formula 1, e zhvilluar në Melburn, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes. Pasi shqyrtuan bisedat në radio ndërmjet Luis Hemilton dhe bokseve të MekLarenit, FIA ka vendosur të skualifikojë pilotin britanik nga Çmimi i Madh i Australisë. Në fakt, Hemilton është cilësuar fajtor, sepse nuk ka respektuar rregullat e lojës gjatë parakalimit ndaj Jarno Trulit kur në pistë ishte "makina e sigurisë". Pas këtij vendimi, piloti italian i Tojotas, që gjatë garës u penalizua me 25 sekonda, rikthehet në vendin e tretë të klasifikimit në Melburn. "Gjykatësit shqyrtuan materiale të tjera të paraqitura nga palët për Çmimin e Madh të Australisë", lexohej në një deklaratë zyrtare për shtyp të publikuar nga FIA. "Piloti Luis Hemilton dhe MekLareni u sollën në mënyrë të pandershme, duke fshehur provat e asaj që ndodhi në garën e 29 marsit, ka shkelur nenin 151 të Kodit Ndërkombëtar Sportiv. Sipas nenit 158, për këtë veprim, piloti Luis Hemilton dhe skuadra MekLaren, janë përjashtuar nga klasifikimi përfundimtar i Çmimit të Madh të Australisë". Pas garës, komisarët e pistës diskutuan me Hemilton dhe Trulin, duke ndëshkuar këtë të fundit me 25 sekonda penalizim. Edhe pse u rendit i treti, madje festoi edhe në podium, piloti i Tojotas u detyrua të kthente çmimin, sepse pas penalizimit ai zbriti në vendin e 12-të. Nga kjo situatë përfitoi Hemilton, që nga vendi i katërt u ngjit në të tretin. Por, nga Malajzia, ku skuadrat po përgatiten për garën e dytë të këtij edicioni në F.1 erdhi përmbysja e radhës. Pasi dëgjuan sërish deklaratat e dy pilotëve dhe bisedat e radiove të skuadrave, FIA vendosi të penalizonte kampionin e botës në fuqi.

Në anën tjetër, Truli është shprehur mjaft i kënaqur prej vendimit, që i rikthen vendin e tretë. "Në atë episod, ndërmjet kthesës numër 4 dhe asaj numër 5, Hemilton ndodhej përpara meje. Ai uli ndjeshëm shpejtësinë, doli në krahun e kundërt të pistës dhe pothuajse e ndaloi makinën. Në momentin kur e parakalova, po ecnim me shpejtësi 80 km/h. Kjo shihej qartë edhe nga pamjet filmike që paraqitëm në zyrat e federatës. Personalisht mendova se në ato momente, Hemilton kishte probleme me makinën. Rregullorja thotë qartë se nëse makina që ke përpara nuk ka një shpejtësi të përshtatshme për të ndjekur makinën e sigurisë dhe po ngadalëson shpejtësinë, atëherë mund ta parakalosh. Kjo ndodhi dhe të gjitha provat e konfirmojnë. Edhe regjistrimet e bisedave me skuadrën e konfirmojnë tezën time. FIA mori vendimin e drejtë dhe jam i lumtur pasi kërkova drejtësi dhe ajo u vendos", tha Truli.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›