E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfehet Shaqë Shatri i vërtetë

Është bërë një javë që Shaqë Shatrit i është prishur qetësia. Ky 64-vjeçar thotë se është tronditur kur ka parë letërnjoftimin me të dhënat e tij të shpallura nga policia në Britani, të cilat për vite, i kishte mbajtur njëri nga ish-drejtuesit në piramidën e lartë të Shërbimit Sekret të shtetit shqiptar, Ilir Kumbaro. Shatri, i cili për një kohë shumë të gjatë ka punuar si bukëpjekës në Prizren, por edhe në Zvicër, mohon që të ketë pasur lidhje me Shërbimin Sekret Shqiptar dhe të ketë qenë në dijeni se dokumentet e tij ishin duke u përdorur nga Ilir Kumbaro, njëri nga të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e biznesmenit Remzi Hoxha, në vitin 1995, për të cilin tashmë ka nisur një proces gjyqësor në Tiranë.

Pasi merr dozën e ilaçeve të përditshme, me një ndjenjë mllefi dhe habie njëkohësisht, Shaqa rrëfen për "Kohën Ditore" historinë e shkuarjes në Tiranë dhe vjedhjes së letërnjoftimit të tij, që për 13 vjet është përdorur nga Ilir Kumbaro. Ky i fundit, i fshehur pas emrit të Shaqës, si kosovar i ndjekur, u kishte ikur kërkimeve të policisë, derisa një ditë u zbulua.

Letërnjoftimi i vjedhur në Tiranë

Shaqa thotë se nuk ngjan aspak me Kumbaron, i cili është gjithashtu 9 vjet më i ri në moshë. Tani, flokët e tij janë të zbardhuara krejt në dallim nga fotografia e publikuar prej policisë britanike, ku ai ka flokë të zinj. Që prej 9 vjetësh, Shaqa e ka humbur zërin, pas problemeve me sëmundjet e fytit dhe operacioneve të njëpasnjëshme. Dhe jo vetëm zërin, por në përgjithësi, gjendja e tij shëndetësore është keqësuar tej mase. Me një dozë të madhe zemërimi, ai flet për historinë e letërnjoftimit të tij, më shumë me pëshpëritje e mimikë, dhe kur nuk arrin të kuptohet, shkruan ose mundohet përmes familjarëve të tjerë (të cilët janë mësuar të komunikojnë me të), të tregojë atë që dëshiron. Dhe nuk pushon së përsërituri derisa të bindet që ajo që ka thënë është kuptuar.

"Unë kam qenë në shpi, kur djali erdhi nga Prizreni. Ai ka qenë të dajat e tij dhe kishte parë lajmet dhe letërnjoftimin tim. Prej asaj dite nuk po mund të qetësohem, nuk po më merr gjumi natën. Jam shumë keq prej shëndetit dhe kjo po më bën të hamendem ta padis atë njeri që ka keqpërdorur të dhënat e mia, atë njeri që për mua nuk është agjent i Shërbimit Sekret, por një vrasës", thotë Shaqa.

Tani, 16 vjet më vonë, Shaqa ka nisur të mbledhë copëzat e kujtesës rreth shkuarjes në Shqipëri, dyshimeve rreth humbjes së letërnjoftimit në Tiranë, historisë së përpjekjeve për të ikur në Zvicër dhe njerëzit që kishin kontaktuar me të. "Ka qenë pranverë e vitit 1993. Po përpiqesha të dilja në Zvicër. Kisha punuar disa vite me radhë dhe, shefi im zviceran, më kishte thënë se nëse mund të dilja në Itali, do të vinte të më merrte dhe unë kisha nisur të bëj përpjekjet", rrëfen Shaqa. Në të njëjtën kohë, ai kishte udhëtuar me një fqinj të fshatit në Tiranë, në përpjekje për të siguruar një vizë, dhe u kishte paguar bukur shumë një rrjeti emigrantësh klandestinë në Shqipëri, por nuk kishte mundur më kurrë të shkonte në Zvicër. "Pasi ish-shefi më tha që nuk mund të vinte e të më merrte atë muaj, fillova disa kontrolle mjekësore për sytë te një mjek në Tiranë. Herën e parë kur shkova për kontroll, mjeku më dha një karton, që sipas radhës, duhet të shkoja një të mërkurë pasdite. Pas tri ditësh, mora autobusin dhe u nisa për te mjeku. Rrugës një njeri shtatlartë më ndiqte. E kuptoi që isha kosovar dhe më mbante thuajse me zor në bisedë. Kaq më ka mbetur në mendje nga ai udhëtim. Nuk i kisha vënë shumë rëndësi personit, sot as fytyrën nuk i mbaj mend", tregon më tej Shaqa.

Një të mërkure tjetër, 16 vjet më pas, Shaqa thotë se mbase asgjë nuk ka qenë e rastësishme. "Shkova te mjeku dhe sipas rregullave ai më kërkoi kartonin për vizitën. Futa dorën në xhep dhe nuk e kisha kuletën. Pra, ajo ishte vjedhur me gjithë dokumentet dhe kartonin e mjekut. Mezi e bëra atë kontroll dhe pas një jave u ktheva në Kosovë. E kalova kufirin sërish ilegal", tregon 64-vjeçari.

Tre vjet më pas, në vitin 1996, Kumbaro ka hyrë në Britani emrin Shaqë Shatri, duke i bindur zyrtarët e Emigracionit se është refugjat nga Kosova dhe se po ikte për shkak të ndjekjes nga serbët. Dhe ia kishte arritur të merrte një pasaportë britanike. Letërnjoftimi që Shaqa thotë t‘i jetë vjedhur në Tiranë kishte plot dhjetë vjet afat, sepse para se të nisej ai ishte pajisur me letërnjoftim të ri, kurse historia për të nxjerrë një tjetër gjithashtu rrëfen të ketë qenë e vështirë. "Unë e lajmërova policinë në Tiranë për letërnjoftimin, paratë dhe dokumentet tjera që më ishin vjedhur dhe u ktheva në Kosovë, pa ditur ç‘kishte ndodhur. Kurse këtu policia më keqtrajtoi javë të tëra, derisa e nxora dokumentin e ri", shton ai.

Kumbaro, i kërkuar për vrasje kishte bërë një jetë të dyfishtë me emrin dhe të dhënat e Shaqë Shatrit, por jo edhe me specifikat biometrike. E këto të dhëna të rreme, ai do t‘i zbulonte vetë në përpjekje për të siguruar disa ndihma si person me probleme depresioni dhe stresi, që nuk i ka Shaqa në Kosovë. Ai do të mund të kishte qëndruar edhe më tej në Londër, nëse nuk do të kishte bërë një gabim. Në vend që të regjistrohej si Shaqë Shatri në Autoritetin Shëndetësor në Ealing, Hammersmith dhe Hounslow, Kumbaro ka përdorur emrin e tij të vërtetë.

Pak kohë më vonë, ai anuloi regjistrimin, por pikërisht anulimi ishte një element i mjaftueshëm për detektivët britanikë, të cilët po e ndiqnin Kumbaron, pas një kërkese nga autoritetet e shtetit shqiptar, në qershor të vitit 2008.

Historia e identitetit të rremë të Kumbaros do të përfundonte në shtator 2008, kur hetuesit nga njësiti për ekstradim i ‘Scotland Yard‘, arrestuan njeriun që e quante veten Shaqë Shatri, në banesën e tij në Fulham. Edhe në momentin arrestimit, ai ka këmbëngulur se nuk është Ilir Kumbaro, por Shaqë Shatri.

Dyshimet

Unë në lojërat e Shërbimit Sekret?

Deri në këtë kohë, Shaqa rrëfen të ketë jetuar me barrën e shumë vuajtjeve nga varfëria dhe sëmundja. E gjithë familja e tij 7 anëtarëshe mbahet me një pension prej 50 eurosh dhe një rrogë mësuesi që merr djali i tij i vetëm. "Njeriut çka nuk po i ndodhka në jetë. Deri në këtë kohë e kam pasur hallin e sëmundjes, sepse kjo rrogë që merr djali dhe pensioni nuk po na dalin as për barna. Kurrë nuk kisha menduar që emri im do të hynte në lojërat e shërbimit sekret", thotë ai.

Policia britanike ka gjetur, përveç fotografive të Shaqë Shatrit, se në regjistrat e shërbimit të ofiqarisë në Prizren janë lëshuar dokumente për Ilir Kumbaron në emër të Shaqë Shatrit dhe pa shumë problem të njëjtat kanë kaluar flirtin e verifikimit në mungesë të shërbimit konsullor, nga UNMIK-u tani edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Ruzhdi Hoxha, drejtor i këtij shërbimi në Prizren, thotë se kjo ka mundur të ndodhë, sepse kërkesë për të nxjerr certifikatë të lindjes mund të bëjë çdokush dhe ajo mund të lëshohet pa problem për cilindo, kurse vërtetësia e saj, kur nevojitet për jashtë vendit verifikohen në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Nga zyra e Interpolit në Prishtinë, gazeta nuk ka mundur të marrë të dhëna rreth numrit të personave të kapur apo të kërkuar, që kanë përdorur dokumente të dyfishta. Sipas zyrtarëve të saj, këto janë të dhëna konfidenciale që i jepen vetëm prokurorisë, sipas nevojës. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme tashmë kanë filluar të vijnë rekomandimet nga EULEX në lidhje me raste të tilla të shfrytëzimit të të dhënave nga njerëz të përfshirë në shërbimin sekret dhe njerëz të tjerë të përfshirë në vepra penale. Zv.ministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelili, tha se ministria posedon të dhëna se një numër i konsiderueshëm i personave nga disa shtete përreth Kosovës janë paraqitur në vende të ndryshme si shtetas kosovarë. "Nuk kemi dijeni rreth hetimeve të bëra në raste si ai i Ilir Kumbaros, sepse Interpol nuk komunikon me ne drejtpërdrejt. Por dimë se ekziston një numër i konsiderueshëm i personave jashtë vendit, që mbajnë numrin identik të kosovarëve. U kemi kërkuar vendeve të ndryshme të na paraqesin listat e emigrantëve të paraqitur si kosovarë, në mënyrë që ne t‘i verifikojmë ato", shtoi Xhelili.

Gjyqi

Të gjitha akuzat ndaj Ilir Kumbaros

Ndërkohë, në Tiranë vazhdon prej kohësh procesi gjyqësor për çështjen tashmë të quajtur "Remzi Hoxha". Ish-agjentë të SHIK-ut, përfshirë edhe vetë ish-kreun e Shërbimit Sekret Shqiptar, Fatos Klosi, kanë dhënë dëshmi mbi ngjarjen. Zyrtarë të Prokurorisë në Tiranë kanë thënë se janë në pritje të ekstradimit të Kumbaros, i cili, sipas provave të mbledhura, pikërisht ai (Kumbaro) është personi që e ka takuar për herë të fundit Hoxhën. "Dyshimet janë vërtetuar edhe nga dëshmitë e tjera të rojeve dhe punonjësve të tjerë të një ndërtese të SHIK-ut në Lezhë. Emri i Ilir Kumbaros është përmendur në dëshmitë e ish-agjentëve të SHIK në rastin "Remzi Hoxha". Ata kanë treguar se e kanë marrë biznesmenin në një punishte në Tiranë duke e dërguar në Lezhë dhe dorëzuar tek Ilir Kumbaro. Atje ishte keqtrajtuar biznesmeni shqiptaro-maqedonas i cili ka vdekur gjatë torturave, trupi i të cilit ende nuk është gjetur".

Sipas dosjes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Ilir Kumbaro, ka qenë i pranishëm gjatë shoqërimit dhe marrjes në pyetje të tre personave: Ziso Kristopulli, Remzi Hoxha dhe Avdyl Loshaj. Ata dyshohet se janë mbajtur në bazën sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku sipas hetimeve, janë keqtrajtuar gjatë marrjes në pyetje nga punonjësit e Shërbimit Informativ.

Gjykata e Westminster në Britani ka vendosur javën e kaluar për ekstradimin e Kumbaros dhe ai pritet që muajin e ardhshëm t‘i bashkohet treshes së akuzuar për rastin "Hoxha" Arben Sefgjini, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe.

Shaqë Shatri në Kosovë lutet të ketë jetë deri në përfundim të këtij gjyqi, proces ky që do të qartësojë edhe lidhjen e tij me Kumbaron. Ai ka filluar të jetojë me këtë histori, me të cilën pa dashur, thotë se është bërë pjesë e saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›