E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga e tretë...

Rruga e tretë në anglisht ‘third way‘ i referohet një zgjidhjeje politike dhe ekonomike të kontradiktave praktike dhe ideologjike mes së majtës dhe së djathtës. Ajo është aplikuar me sukses në shtete avangarde të demokracisë kapitaliste si Shtet e Bashkuara dhe Anglia. Ne teori babai i rrugës së tretë është Anthony Giddens, në praktikë liderët e rrugës së tretë janë Tony Blair dhe Bill Clinton. Më i fundit i rrugës së tretë lideri i gjeneratave te reja dhe i gjuhës se bashkimit është Barack Obama. Ai riformuloi rrugën e tretë me energjinë e një lideri të ri duke vënë theksin në drejtësinë sociale dhe shanset e barabarta. Rruga e tretë lindi atëherë kur përkufizimet e të majtës dhe të djathtës kishin humbur referencat praktike që ato kishin në fillimet e kapitalizmit perëndimor. Në këtë periudhë, simboli i mendimit të djathtë ishte shprehja "laissez faire- laissez passer"(lejojini të bëjnë, lejojini të kalojnë). Kuptimi i saj praktik ishte; shteti është vetëm mbikëqyrës, jo ndërhyrës, në ekonominë e tregut të lirë çdo gjë rregullohet nga një dorë magjike, domethënë vetvetiu pa pasur nevojën e ndërhyrjeve të shumta nga instancat shtetërore. Ajo që u vendos kundër kësaj linje mendimi ishte e majta e cila pretendonte se tregu nuk ka veti vetërregulluese dhe po të mos ketë ndërhyrje shtetërore në të, në fillim do të zhdukë me të dobëtit pastaj do të shkatërrojë vetveten. Prandaj duhet që shteti të ndërhyje duke vendosur rregulla të cilat të parandalojnë kaosin final.

E shprehur shumë thjesht dhe shkurt kjo ishte e djathta dhe e majta në fillimet e kapitalizmit që përputhet edhe me fillimet e komb-shtetit modern në perëndim (shekulli 17-18). Me zhvillimin e shoqërive të ndryshme kjo ndarje e qartë dhe që kishte vetëm dy krahë filloi të degëzohej dhe si e majta ashtu dhe e djathta prodhuan rryma të ndërmjetme. Këto rryma kishin në thelb eliminimin e disfavoreve të politikave të dy ideologjive kundërshtare. Nga ana tjetër, në fillim të shekullit të 20-të u vu re se sistemet autoritare, totalitare dhe represive mundën të përdorin sa njërën ideologji aq dhe tjetrën si në shembullin e fashizmit dhe komunizmit. Në të njëjtën kohë proceset historike dhe socio-ekonomike në vende të ndryshme bënë që e djathta dhe e majta të kenë tashmë përkufizime lokale që ndryshonin nga përkufizimet e tyre origjinale dhe ndërkombëtare.

Nga mesi i shekullit të 20-të ato që në fakt kishin përjetuar të majtën dhe të djathtën e vërtetë në versionin më origjinal, anglezët, kuptuan se tashmë nuk kishte ngelur shumë nga origjina. U vu re se në individë e grupe shumë herë mendimi i majtë dhe i djathtë bashkohej dhe bëhej gati e pamundur identifikimi vetëm me njërin krah. Ato me të drejtë konstatuan se një person, grup njerëzish ose rrymë politike në shumicën e rasteve përmbante në të njëjtën kohë sa ide të djathta aq dhe të majta, se e djathta dhe e majta ishin bërë referenca përkufizimi i saktë i të cilave tashmë ishte i pamundur. Nëse marrim si shembull konkret Shqipërinë. Në shumicën e rasteve të jesh i majtë do të thotë të jesh me Partinë Socialiste, të jesh i Djathtë me Partinë Demokratike. Mbështetësit e Partisë Demokratike nuk janë një grup homogjen, për shembull ato nuk përbëhen vetëm nga të persekutuarit ose disidentët e periudhës komuniste, por dhe nga sekretar partie, drejtor, drejtues dhe kuadro të lartë të asaj periudhe. Njëkohësisht, mbështetësit e Partisë Socialiste nuk janë të gjithë ish-sekretarë partie, drejtues ose të favorizuarit e periudhës komuniste, por dhe shumë të disfavorizuar, persekutuar ose disidentë të periudhës. Gjithashtu, nuk mund të flitet për grupe të veçanta interesi me bindje të djathta ose të majta që mbështesin njërën apo tjetrën parti. Ndarja e mbështetjes me krahina e dy partive më të mëdha nuk i përgjigjet një ndarjeje ideologjike të përgjithshme të tipit njëra mbështet në fshatra tjetra në qytete, ose njëra mbështetet nga pjesa më e varfër e popullsisë tjetra nga ajo më e pasur. Për më tepër partitë nuk kanë ideologjistë të mirëfilltë, të cilët të formulojnë drejtimin e politikave bazë sipas të majtës ose të djathtës. Sindikatat nuk janë në lidhje organike vetëm me njërën krah, në fakt nuk dihet sa efektive janë në total. Ka dy parti të mëdha, që janë konkurrente të njëra-tjetrës, por kjo konkurrencë bazohet më pak se në gjithçka në një ndarje të mirëfilltë të mendimit të djathtë dhe të majtë.

Në thelb të ndarjes të së ashtuquajturës e djathta dhe e majta, tashmë dhe jo vetëm në Shqipëri, nuk qëndron një element ideologjik me një referencë të qartë praktike, por faktorë sa emocionalë aq dhe materialë momentalë të individëve dhe grupeve. Në këto kushte dhe duke kuptuar se shoqëria njerëzore po rrokullisej drejt një situate ku përparësitë e zhvillimit në fakt tashmë nuk diktoheshin më nga majta ose e djathta, por nga zhvillimi teknologjik, konkurrenca në aftësi intelektuale dhe drejtuese dhe nga menaxhimi i drejtë i burimeve natyrore sidomos atyre lokale, me inspirimin intelektual të Anthony Giddens liderë si Blair dhe Clinton, pastaj Gordon dhe tani Obama secili në mënyrën e vet nënvizuan zgjidhjen tjetër, rrugën e tretë; lënien mënjanë të diskutimit. Nëse kjo apo ajo politikë është e majtë apo e djathtë dhe fokusimin në objektiva të përparimit mbarë shoqëror. Shkurt dhe shqip, pretendimi ishte se nuk ka rëndësi në je i majtë apo i djathtë, zhvillimi ka baza të tjera, që janë përtej kësaj ndarjeje. Më të rëndësishmet e tyre janë; përmirësimi i qeverisjes vendore, menaxhimi i duhur i burimeve në mënyrë që të përmirësohet e tashmja dhe të garantohet e nesërmja, cilësia e intelektualëve thënë ndryshe mënyra e të menduarit e shoqërisë domethënë sistemi arsimor, transparenca në çdo shkallë të qeverisjes, zhvillimi ekonomik gjithëpërfshirës etj. etj. Këto objektiva në thelb të rrugës së tretë ishin sa lokale aq dhe ndërkombëtare.

Në këtë këndvështrim slogani ‘përtej së majtës dhe së djathtës‘, duket si reflektimi i idesë së rrugës së tretë në Shqipëri. Ai fut në sferën politike shqiptare idenë se ka gjëra më të rëndësishme se ndarja mes së majtës dhe së djathtës për të ardhmen e përbashkët. Të jep idenë se duhet të fokusohemi në probleme, zgjidhje e programe konkrete duke tejkaluar tashmë emocionet blu ose rozë. Nëse pëlqimin ose mospëlqimin e kësaj ideje do ta kushtëzojmë me qenien pro ose jo një partie do të humbitnim shansin të fusnim frymën e diskutimit cilësor evropian në Shqipëri. Kritikat dhe diskutimet rreth kësaj ideje do të ishin më të frytshme nëse fokusoheshin në brendësinë e saj, në prodhimin e ideve alternative. Detajet e brendësisë të kësaj ideje do të jenë më të analizueshme kur të publikohet programi që është pas saj. Për momentin ky slogan ka një frymë dhe një formulim i cili e fut atë në një vijë me rrugën e tretë perëndimore. Një ide alternative do të ishte konkurrente më efikase e kësaj ideje e cila ç‘është e vërteta ka brenda një pasuri të madhe zgjedhjesh dhe zgjidhjesh. Në vend të fyerjeve personale dhe elegjive familjare një linjë alternative do të na jepte disa zgjidhje më shumë duke pasuruar politikën shqiptare. Do të na rriste besimin në një Shqipëri që di të hedhë paskrahëve fantazmat dhe komplekset e të shkuarës.

Çështja nëse shqiptarët janë gati për një rrugë të tretë është diçka që i përket zgjedhje. Në këtë aspekt është të dëmtosh vendin dhe të ardhmen e tij nëse para zgjedhjeve dënon idenë ‘përtej së majtës ose së djathtës‘ si jo funksionale në Shqipëri. Rruga e tretë ka qëllime që nuk kufizohen me vendin ku ajo lindi, ose vendet ku aplikohet. Objektivat e saj në fakt hyjnë në objektivat e zhvillimit të gjeneratave të reja dhe shoqërive avangarde të shekullit të ri. Shqiptarët dhe vetëm ato do të vendosin nëse e shohin të përshtatshme ose jo këtë rrugë. Diskutimi pro ose kundër saj, prodhimi i alternativave vetëm e pasuron sferën politike, ndërsa mohimi i saj apriori vetëm sa na kthen në varfërinë e zgjedhjes, në varfërinë e mendimit, na dënon me qëndrimit tashmë të stërzgjatur mbas gardheve të Evropës. Na pëlqen apo nuk na pëlqen, krijuesi Shqipëria diti të prodhojë një rrugë të tretë e cila përfaqëson një pasuri të mendimit politik, intelektual shqiptar. Ta diskutojmë, analizojmë, kritikojmë, refuzojmë ose votojmë atë. Kjo duket shumë më mirë se mohimi fare pa e analizuar idenë ose degjenerimi në diskutime jetësh private. Në fakt, kur komunizmi shqiptar fuste hundët dhe në çështjet personale dhe martonte e ndante njerëz sipas biografisë, Perëndimi analizonte dhe përmirësonte shoqërinë e 20 vjetëve më pas. Tani, ne këtu në Shqipëri ose do të vazhdojmë të merremi me biografi ose do të projektojmë të ardhmen e shumë viteve më pas. Këtë e kemi në dorë të gjithë së bashku, politikanë, gazetarë, intelektual, lexues, reflektues, qytetarë shqiptarë që mendojnë se tashmë ka ardhur koha që te ecim një hap me vendet me demokraci të konsoliduar dhe mendim të zhvilluar...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›