E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skura po transportohet nga Spitali Ushtarak drejt Rinasit

Të tjera rreth shkrimit Policia: Trafikantët e municioneve e plagosën FOTO- Komisari u plagos në fshatin Suç të Matit VIDEO/ Noka: Në gjendje të rëndë, drejt Italisë VIDEO/ Mjeku sanitar: Ka rrezik jete, u plagos në 5 organe TIRANE- Shefi i krimeve të Rënda të Burrelit nga momenti në moment pritet të transportohet me një autoambulancë drejt Rinasit dhe më pas me avion sanitar do të udhëtojë drejt spitalit të Foggias në Itali për një mjekim më të specializuar. Musa Skura, 48 vjeç, baba i 3 fëmijëve u plagos gjatë një operacioni për arrestimin e disa të kërkuarve pasditen e 13 janarit (e dielë).

Prej orës 09:00 një ambulancë ndodhet në Spital Ushtarak dhe pritet të transportojë komisarin drejt aeroportit të Rinasit, ku ndodhet avioni sanitar i cili do e transportojë drejt Foggias. Një ekip mjekësor shqiptarë dhe italianë do shoqërojnë Musa Skurën drejt Italisë. 

Në orën 10: 35 minuta në spital mbërriti drejtori i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj. Burime të Shqiptarja.com bëjnë të ditur se mjekët shqiptarë e italianë po bëjnë konsultën e fundit para se të vendoset në Ambulancë për tu dërguar drejt aeroportit të Rinasit, nga ku do niset drejt Italisë.

Ndonëse transportimi Musa Skurës ishte parashikuar të kryhej në orën 10:00 ende nuk është kryer.  Mjekët s'dhanë asnjë informacion në lidhje me gjëndjen shëndetësore, nëse mund të jetë përkeqësuar, apo jo çka mund të detyronte shtyrjen e transportimit. Sot në mëngjes mjekët thanë se gjëndja shëndetësore e tij vazhdon të jetë me parametra stabël, por në terapi intensive.

Në spitalin "San Paolo", të Foggias, Komisari pritet t’i nënshtrohet një mjekimi më të specializuar, pasi gjendja e tij shëndetësore është kritike për jetën. Transportimi i tij pritet të bëhet sot në mëngjes me një avion sanitar. Ministri i Brendshëm Flamur Noka deklaroi se qeveria ka një vendim për shpëtimin e jetës së shefit të krimeve, dhe transportimi i tij drejt Italisë do të bëhet me avion sanitar.

(foto: Familjarët duke pritur daljen me barrelë të të plagosurit)
 
Mjeku reanimator Fatbardh Kurti deklaroi dje se komisari ka dëmtime në 5 organe nga plumbi. "Veshka e djathtë iu dëmtua u hoq fare. Çarje të stomakut iu qep. Shpretka, dëmtim të zorrëve të hodha e të trasha dhe pankreasit, të cilat u qepën."- tha Kurti.

Policia arrestoi mbrëmë Fitim Alla, 19 vjeç personi që dyshohet se qëlloi në drejtim të shefit të krimeve, Vilson Milkurtin, 18 vjeç, nga fshati Suç, Edison Sinan Lleshi 18 vjeç, si dhe shtetasi me inicialet A. Ll. 15 vjeç, ndërsa është bërë dhe shpallja në kërkim e shtetasit Riza Xhemal Barçi, drejtues i mjetit furgon përmes të cilit është transportuar municioni luftarak. Fitim Alla, 19 vjeç personi që dyshohet se qëlloi në drejtim të shefit të krimeve është plagosur në këmbë, por jo me plumb. Ai ndodhet në spitalin e Burrelit nën masa të forta sigurie. Ndërkohë nga strukturat e Policisë së Shtetit vazhdon puna për identifikimin e kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet Kriminal.

POLICIA: JA SI NDODHI PLAGOSJA
Policia e Shtetit doli pasditen e djeshme në një konferencë për shtyp për të dhënë detaje mbi operacionin ku mbeti i plagosur rëndë Shefi i Hetimit dhe Parandalimit të Krimit të këtij Komisariati, Komisar Musa Skura. Policia sqaroi se komisariati i policisë Mat kishte organizuar punën për të goditur një rast të shitjes së municioneve luftarake, me qëllim kapjen në flagrancë të autorëve të dyshuar dhe se gjatë momentit të arrestimit të dy të dyshuarve në vendin e quajtur Përroi i Keçit në fshatin Suç, njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri automatik, duke plagosur Musa Skurën. Nga ndërhyrja e forcave të tjera pjesëmarrëse në operacion është bërë e mundur kapja e shoqërimi në Komisariat i autorëve të dyshuar: Fitim Hashim Alla 19 vjeç, banues në fshatin Rripe të rrethit Mat, si dhe Vilson Petrit Milkurti 18 vjeç, banues në fshatin Suç të rrethit Mat dhe 2 autorëve të tjerë të dyshuar për përfshirjen në veprimtarinë kriminale të shitjes së municionit luftarak, përkatësisht, Edison Sinan Lleshi, 18 vjeç, si dhe shtetasi me inicialet A. Ll. 15 vjeç, që të dy nga fshati Dom, rrethi Mat. Po ashtu është bërë dhe shpallja në kërkim e shtetasit Riza Xhemal Barçi, drejtues i mjetit furgon përmes të cilit është transportuar municioni luftarak.

"Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale të kryera ka rezultuar se 4 shtetasit e sipërcituar kanë organizuar për të shitur disa shtetasve të tjerë një sasi prej 26 arka me municion (fishekë), të cilin e kanë transportuar përmes një mjeti furgon në vendin e ngjarjes, ku do të realizohej dhe shitja e tij. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri automatik, tip kallashnikov. Gjithashtu gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar edhe 8(tetë) kuti me municion luftarak fishekë model 56 mm, ku secila prej tyre mbante 720 copë fishekë.- deklaronte policia e shtetit.

Ndaj shtetasve Fitim Alla, Vilson Milkurti, Edison Lleshi dhe shtetasit me inicialet A. Ll. është marrë masa e arrestit në flagrancë dhe materialet do ti referohen Prokurorisë së Krimeve te Renda Tiranë për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese e mbetur ne tentative e kryer në bashkëpunim”, si dhe “shitje dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.” Ndërkohë nga strukturat e Policisë së Shtetit vazhdon puna për identifikimin e kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet Kriminal.

Redaksia online
(sg/shqiptarja,.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›