Sllovaki,11 të vdekur nga aksidenti

Të paktën 11 persona kanë vdekur nga një përplasje mes një treni dhe një autobuzi turistësh në qendër të Sllovakisë. Sipas njoftimeve zyrtare, aksidenti ka ndodhur në një lartësi, pranë qytetit të Breznos, teksa autobuzi po udhëtonte drejt një resorti skish. Të 36 pasagjerët e autobuzit ishin nga Banovce nad Bebravou, në perëndim të Sllovakisë. Zëdhënësja e agjencisë së hekurudhave Martina Pavlikova deklaroi se treni, i cili ka dalë nga binarët për shkak të përplasjes, e ka marrë përpara për rreth 10 metra autobuzin e turistëve. "Të gjithë të vdekurit dhe të plagosurit ishin në autobus. Në tren, kishte vetëm disa pasagjerë, të cilët nuk kanë pësuar ndonjë dëmtim serioz", është shprehur zëdhënësja Pavlikova. Vendi i përplasjes ndodhet pranë resortit mjaft popullor të skive "Polomka Bucnik". Agjencia sllovake e lajmeve TASR, ka njoftuar se përplasja ka ndodhur rreth orës 09:00 të mëngjesit të së shtunës. Sipas raportimeve, kryqëzimi hekurudhor, kishte vetëm sinjale drite dhe jo barriera që ndalojnë kalimin e automjeteve në momentin që kalojnë trenat. Agjencia e lajmeve TASR, shprehet se një pjesë e madhe e të plagosurve janë në gjendje të rëndë për jetën. Dy persona me dëmtime të rënda të shtyllës kurrizore janë transportuar në spital me anë të ngritësve pneumatikë.