Sllovakia duhet ta njoh Kosovën

Sipas një komunikate të Lëvizjes Vetëvendosje, në këtë takim është biseduar mbi situatën politike në Kosovë dhe sfidat që po i kalon Kosova si shtet i ri në forcimin e sovranitetit të saj dhe njohjes ndërkombëtare të subjektivitetit të saj. “Theks të veçantë ju dha raporteve ne mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatë.
Kurti ka thënë se Kosova, si shtet i ri, ka nevojë urgjente për ushtrimin e sovranitetit në tërë territorin e saj, ruajtjen e integritetit territorial dhe zhvillimin ekonomik, duke mos harruar sundimin e ligjit dhe transparencën në punën e institucioneve.
Z. Dzurinda thuhet të ketë folur me përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje disa nga përvojat e Sllovakisë në këto fusha.
“Në takim, po ashtu, u diskutuan edhe marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë me theks të veçantë në qëllimet e Serbisë për Kosovën dhe rajonin, si dhe vështirësitë që kjo po ja shkakton Kosovës për zhvillim normal. Në takim u fol edhe për integrimin e serbëve në shoqërinë kosovare e jo vetëm në institucionet e saj, integrim ky i cili po pengohet në çdo mënyrë nga Serbia”, thuhet në komunikatë.
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga delegacioni që Sllovakia ta njohë sa më shpejte Kosovën, sepse kjo do të sillte përparim kualitativ e jo vetëm kuantitativ në stabilizimin e Kosovës, si në rajon ashtu edhe në BE.
Mikulas Dzurinda, thuhet të ketë shprehur vullnetin që marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Sllovakisë të ngritën në nivel më të lartë.