E Shtunë, 31 Tetor 2026

U besojnë gazetarëve

Sipas një ankete të sponsoruar nga Zyra e BE’së në Prishtinë, qytetarët e kanë humbur besimin te politikanët dhe te shoqëria civile. Anketa ka treguar se gazetarët ende gëzojnë nivelin më të lartë të besimit publik të pasuar nga zyrtarët e BE’së.

Në një referendum për t’iu bashkuar BE-së, 72% e qytetarëve do të ishin përgjigjur pozitivisht që është një përqindje e cila nuk ka ndryshuar fare nga dy vitet e kaluara. Shumica besojnë se integrimi do të ishte një përparësi për Kosovën; pothuaj 90 % e të anketuarve e konsiderojnë si të rëndësishëm fuqizimin e lidhjeve me BE’në dhe më shumë se 70 % e tyre e shohin integrimin në union si një zgjidhje të mundshme për problemet ekzistuese në ekonomi, udhëtim, korrupsion, sigurim të së ardhmes për të rinjtë, mirëqenie sociale dhe në fushat e bujqësisë.

Anketa, e cila është organizuar nga projekti i financuar nga BE’ja, “Perspektiva e BE’së në Kosovë” (EUPK) dhe e cila është realizuar në maj dhe qershor të vitit 2012 përmbante 1,500 intervista ballë për ballë me përfaqësues nga i gjithë vendi, shqiptarë, serbë dhe komunitete të tjera minoritare të Kosovës, të cilat kanë qenë të ndara sipas gjinisë, arsimimit, të ardhurave, dhe prejardhjes urbane dhe rurale.

Anketa ka nxjerrë në pah faktin se gazetarët ende gëzojnë nivelin më të lartë të besimit publik, me vendimmarrësit e BE’së në vendin e dytë. “Gazetarët janë bindshëm më të besueshëm në opinionin publik, me 58%, përderisa politikanët dhe biznesmenët janë në nivelin shumë të ulët të besueshmërisë, me 5%, përkatësisht 4%" Ndërkaq ka shënuar rënie besimi në shoqërinë civile.“Niveli i besimit në OJQ/përfaqësues të shoqërisë civile ka rënë dukshëm, nga 18% në vitin 2010 në 7% sot”

Një anketë e ngjashme është realizuar për Zyrën e BE’së në gusht të vitit 2010, e cila edhe shërben si mundësi e mirë për krahasim të disa trendeve dhe aspiratave në opinionin publik. Të gjeturat kryesore të anketës janë prezantuar të martën nga Zëvendës Ministri i Integrimeve Europiane, Gëzim Kasapolli, zëvendësudhëheqësi i operacioneve në Zyrën e BE-së / PSBE-së, Melvin Asin, zëdhënësi i Zyrës së BE’së/PSBE’së, Stojan Pelko, dhe udhëheqësi i operacioneve në UBO Consulting, Berat Abdiu.Gëzim Kasapolli tha se 57% e të anketuarve besojnë se anëtarësimi i Kosovës në BE do të sillte dobi personale për ta, një nivel ky që është ngritur nga ai 54% në vitin 2010.

“Unë jam veçanërisht i impresionuar me faktin që serbët e Kosovës kanë një pikëpamje dukshëm më pozitive për BE’në sot sesa që kishin në anketën e ngjashme të bërë në vitin 2010”, tha ai. 30% e të anketuarve serbë kanë thënë se ata mendojnë që BE’ja është pozitive, në krahasim me 0% që ishin në vitin 2010, dhe shifra e atyre që mendojnë se BE’ja është një forcë negative ka rënë nga 98% në vitin 2010 në 24% sot. “Kjo anketë na jep një mjet shumë të mirë matjeje për veprimet tona të vetëdijesimit dhe madje edhe një bazë më të mirë për planifikimin e këtyre aktiviteteve në të ardhmen bashkë me Ministrinë e Integrimeve Europiane”, tha Melvin Asin.

Ai theksoi nevojën për menaxhimin e pritjeve, meqë koha që pritet për hyrjen e Kosovës në BE është shumë optimiste: 56% e të anketuarve kanë thënë se Kosova tani është e gatshme që t’i bashkohet BE-së; 34% besojnë se Kosova do t’i bashkohet BE’së “deri në vitin 2014” dhe 54% besojnë se Kosova do t’i bashkohet BE’së “brenda 5 viteve të ardhshme”. Në mesin e të gjeturave të tjera të anketës së UBO’s, janë prezantuar disa trende interesante.“Televizioni mbetet burimi më i përhapur i informacionit lidhur me BE’në, politikat dhe institucionet e saj”.

Po ashtu, bëhet e ditur se shfrytëzimi i internetit si burim lajmesh është rritur dukshëm që nga viti 2010, duke e bërë atë si burimin e dytë më të përhapur të informacionit sot.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›