E Diel, 1 Nëntor 2026

"Slumdog millionaire",filmi më i mirë i vitit dhe fitues i 8 çmimeve “Oskar”

24/02/2009  Industria amerikane e filmit nderoi të dielën krijuesit dhe interpretuesit më të mirë në ceremoninë e 81-të të ndarjes së çmimeve “Oskar” nga Akademia e Arteve në Hollivud.

Në ceremoni më tepër çmime “Oskar” mori filmi “Slumdog millionaire”, i xhiruar në Indi, historia prekëse e një djali të varfër, që arrin të fitojë një konkurs njohurish pas shumë sfidash dhe akuzash. Ky film mori gjithsej 8 çmime “Oskar”, mes tyre atë të filmit më të mirë dhe për regjisorin më të mirë.

Aktorja britanike Kejt Uinslet fitoi çmimin “Oskar” për interpretimin e rolit kryesor në filmin “The reader”.

Aktori amerikan Shon Pen fitoi çmimin “Oskar” për interpretimin në rolin e personazhit Harvey Milk, politikanin e parë homoseksual që doli hapur në shoqërinë amerikane, në filmin “Milk”.

Oskarin për interpretimin më të mirë të një roli dytësor e mori aktori Kith Lexher, i cili vdiq vitin e kaluar në moshën 28-vjeçare. Ai interpretoi personazhin e Xhokerit në filmin “The dark knight”.

Aktorja spanjolle Penelopi Kruz fitoi Oskarin për interpretimin e rolit dytësor në filmin “Viki Cristina Barcelona”.

Për kategorinë e filmit të huaj më të mirë Oskarin e mori filmi japonez “Departures”. VOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›