E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rregullorja e re e provimeve të lirimit

24/02/2009  Korrigjimi i testeve nga dy vlerësues të jashtëm

Publikimi i notave nga komisionet shkollore pas 15 ditësh

Miratohet rregullorja e provimeve të lirimit për vitin shkollor 2008–2009. Procedura e zhvillimit të provimeve do të jetë në të njëjtën formë siç veprohet edhe me provimet e Maturës Shtetërore. Aktualisht Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve ka filluar punën për përgatitjen e provimeve që do të japin nxënësit në datat e përcaktuara me udhëzim të veçantë nga ministri i Arsimit. Ndërkohë brenda datave 15–20 mars në drejtoritë arsimore të rretheve dhe në shkollat 9-vjeçare do të ngrihen komisionet përkatëse që do të merren me evidentimin e ambienteve ku do të zhvillohet provimi, si dhe me numrat e regjistrimeve që do të përcaktohen për nxënësit, në mënyrë që të ruhet identifikimi i nxënësit derisa të ketë përfunduar korrigjimi i testeve. Dy janë lëndët tradicionale që nxënësit do të japin provim: Matematikë dhe Gjuhë-lexim. Ashtu siç procedohet edhe për maturën, mbikëqyrja e provimeve do të bëhet nga administratorë të përzgjedhur nga drejtoritë arsimore. Këta të fundit nuk do të jenë mësues të shkollave përkatëse ku zhvillohet provimi. Përzgjedhja e tyre do të bëhet me short, ndërsa materialet e provimit do të shpërndahen dy orë para nisjes së provimit nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve. Procesi i korrigjimit të testeve është një tjetër risi që përmban kjo rregullore, në të cilën është përcaktuar se vlerësimi i tyre do të bëhet nga mësues të jashtëm, që do të përzgjidhen nga drejtoria arsimore. Vlerësimi i testeve do të bëhet nga dy mësues të jashtëm dhe në rast të përplasjeve për rezultatet do të ketë dhe korrigjues të tretë. Skema e vlerësimit do të jetë e njëjtë për të gjithë nxënësit në të gjitha rrethet. Ndërsa shpallja e rezultateve do të bëhet 15 ditë pas kryerjes së provimit. Konfirmimi i rezultateve për nxënësit do të bëhet nga komisionet e provimeve të lirimit pranë shkollave. Gjatë ditëve në vijim do të nisë evidentimi i ambienteve ku do të zhvillohet provimi, ku në një ambient nuk do të ketë më shumë se 15 nxënës, të cilët do të mbikëqyren nga një administrator.

Përjashtimet dhe vlerësimi i testeve

Nxënësi që gjatë zhvillimit të provimit merr ose jep kopje, përjashtohet nga provimi dhe humbet të drejtën e dhënies së provimeve të lirimit për këtë vit, pra detyrohet të presë vitin tjetër për ti dhënë ato. Ndërsa në procedurën e vlerësimit të testeve është përcaktuar se vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve bëhet me pikë, të cilat ekuivalentohen në notë. Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi për kërkesën përkatëse mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga AVA. Kështu, skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës. Çdo përgjigje e plotë, e saktë ose e pjesshme e dhënë nga nxënësi për çdo kërkesë vlerësohet me pikë sipas skemës së vlerësimit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›