E Shtunë, 31 Tetor 2026

Smajl Latifi: Dikush shpifi

(E plotësuar) Kryetari aktual i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka demantuar një deklaratë të lëshuar nga Dega e AAK-së në Rahovec se procesi zgjedhor në këtë Degë është ndërprerë.

Kryesia së degës në Rahovec nëpërmjet një deklarate drejtuar kryetarit Ramush Haradinaj ka shprehur pakënaqësitë e degës ndaj kryetarit aktual të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Latifi për Indeksonline tha se, sa po është kthyer nga një nedeg dhe se gjithçka po shkon mirë.

“Nuk e di kush e ka dërguar atë komunikatë, por ajo është gënjeshtër. Mund të vini dhe të shihini vet, si po shkon procesi. Procesi zgjedhor është duke shkuar si më së miri. Është legjitim. Kemi mbështet edhe të qendrës. Ka mbetur që vetëm edhe në tri nëndegë të përfundoj procesi dhe më pas të mbahen zgjedhjet ne Degë”, tha Latifi. Kreu i Rahovecit tha, se nuk ka pakënaqësi, sipas tij të pakënaqurit tashmë janë larguar nga dega.

....................................

Derisa në Prishtinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shpalosur sot vizionin e saj për Kryeqytetin e Kosovës, Dega e AAK-së në Rahovec ka ndërprerë procesin e saj zgjedhor. Kjo është bërë e ditur përmes një deklarate të kryesisë së degës, drejtuar kryetarit Haradinaj.

Në deklaratë shprehen pakënaqësitë e degës ndaj kryetarit aktual të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.

Kryesia e Degës, ka ndërprerë edhe herave tjera përkohësisht procesin zgjedhor, pasi që sipas tyre ishte e nevojshme shmangia e vëllavrasjes.

“Përkundër zhgënjimit dhe dëshpërimit të aleancistëve rahovecas nga njeriu për të cilin punuan investuan dhe e bën kryetar komune, ne shprehëm gatishmërinë për të hyrë në zgjedhje partiake duke besuar dhe shpresuar se tani që kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj është i lirë dhe në detyrë si kryetar partie nuk do të lejojë që ky njeri të përdor marifetllëqet e tij të ulëta për të përdorur çdo mjet për arritjen e qëllimeve të tija.
I vetëdijshëm se gjasat për të marrë udhëheqjen e degës konform rregullave demokratike dhe statutare ishin më se minimale, që në fillim S. Latifi filloi të mos zgjedh mjete për qëllimet e tija destruktive. E filloi me: presion, kërcënim, shantazh, kushtëzim për dhënie të nënshkrimit për veteranët e luftës, premtime të rrejshme për vendet e punës, premtim për dhënie tenderësh, ndarje masive të mbushjeve telefonike dhe joshje të formave të llojllojshme deri te kërcënimi i hapur me armë nga shoferi personal i tij në kuvendin e nëndegës në Pastasel. Të gjitha këto janë shumë lehtë të dokumentuara e të vërtetuara.
Të ballafaquar me këtë situatë të vështirë mu në fillim të procesit zgjedhor, ku hapur u paraqitën qëllimet djallëzore të Smajl Latifit se o duhet të fitojë ai, o të derdhet gjaku, dhe pas analizës së hollësishme të situatës tendosëse në terren vendosëm që procesin zgjedhor përkohësisht ta ndërpresim, në mënyrë që te pengohet kjo vëllavrasje e mundshme”, thuhet në deklaratë

Mirëpo përmes këtij vendimi të fundit Kryesia e Degës së AAK-së në Rahovec ka ndërprerë përfundimisht deri në kohë të pacaktuar zgjedhjet e brendshme në kuadër të degës.

“Duke parë se, edhe pas më shumë se një muaji nga ndërprerja e procesit zgjedhor grupi koordinues i qendrës sillej sikur në Rahovec të mos kishte ndodhur asgjë, në bazë të përgjegjësive dhe kompetencave statutore si kryetar i degës (Neni 23: pika 3 dhe 7) konsultuam shumicën absolute të strukturave në nivel dege dhe të nëndegëve, nga të cilat konsulta me miratimin e më shumë se 2/3 të strukturave aktuale vendosëm si më poshtë:

1. Tubimet e grupit të S.Latifit nëpër nëndegë pas datës 19.01.2013 shpallen si jolegale dhe të paligjshme.

2. Zgjedhjet e brendshme në kuadër të degës së AAK-së Rahovec përfundimisht ndërpriten për kohë të pacaktuar deri në krijimin e kushteve normale për zgjedhje konform ligjit, statutit të partisë dhe rregullores për zgjedhje të brendshme.

3. Deri atëherë të gjitha strukturat e AAK-së në degë dhe nëpër të gjitha nëndegët para 15.01.2013 konsiderohen legale, zyrtare dhe legjitime.

Nga kryetari z. Ramush Haradinaj dhe nga Kryesia qendrore e partisë kërkojmë që të respektojë këtë vendim”, thuhet më tej në deklaratë./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›