E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kundër rritjes deri 100 % të tatimit në pronë

Aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Gjilan, sot kanë dalë me një pankartë në të cilën kanë shkruar: “Kundër ngritjes së tatimit në pronë 100 %”, “Kundër ngritjes së çmimit dhe vlerës së tenderëve nga viti në vit për punë të njëjta”, e shumë parulla të tjera. 

Nënkryetari i dytë i Qendrës në Gjilan ka thënë se kanë dalë për të shprehur pakënaqësitë lidhur me ngritjen e tatimit në pronë deri në 100 për qind dhe në disa raste edhe në mbi 100 për qind, por edhe për vizionin e paqartë dhe të dobët të qeverisjes lokale në zhvillimin ekonomik të komunës. “Sot jemi dalë këtu për të kundërshtuar këto politika tatimore dhe për të komunikuar edhe më drejtpërdrejtë me qytetarët, ngase lidhur me këto rritje qytetarët po informohen vetëm pasi janë bërë këto rritje enorme” - deklaroi aktivisti Rudaku, duke kritikuar ngritjen e tatimit në prone, duke thënë se kjo do të jetë e papërballueshme nga qytetarët.

“As autori me bindje më liberale mbi ekonominë, Adam Smith, nuk pret që njerëzit të paguajnë tatimet pa u bazuar në të ardhurat, aftësitë dhe mundësitë ekonomike të obliguesve tatimorë. Po ashtu, këto ngritje, do të rrisin në anën tjetër edhe mundësinë për evazion tatimor, shmangien nga tatimet. Pra, logjika ekonomike na dërgon në faktin që me rritjen e ngarkesës tatimore rritet edhe rezistenca e pagimit të tatimit. Në aspektin ekonomik, nga ekspertët thuhet se kufiri i poshtëm i ngarkesës tatimore nga aspekti individual i obliguesit tatimor përcaktohet me lirimin e minimumit të ekzistencës, ndërsa kufiri i lartë i ngarkesës tatimore përcaktohet nga të ardhurat të cilat i ka obliguesi tatimor, e rrallë herë nga pasuria e tij” – pohoi Rudaku,duke përmendur edhe faktin se komuna e Gjilanit është renditur e para në kontekst të të gjitha komunave të Kosovës për shkelje të procedurave, edhe nga shoqëria civile dhe Lëvizja “Fol”.


“Ne kritikojmë edhe rritjen e çmimeve për tenderët në secilin vit. Fatkeqësia është se edhe pse po rriten këto çmime, cilësia e kryerjes së punimeve është tepër e dobët. Vetëm merreni shembullin e asfaltimit të rrugës në lagjen “Te Gjinollët”, ku asfalti është shtruar jashtëzakonisht hollë dhe jo profesionalisht. Prandaj, ne do të angazhohemi edhe në forma të tjera organizative për të shprehur këto pakënaqësi” – përfundoi Rudaku.

Para pankartës së shkruar kanë qëndruar shumë qytetarë e kalimtarë duke i lexuar parullat e mbajtura nga aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE!, madje pati raste edhe kur qytetarë me fletëpagesë të tatimit në pronë erdhën për të na rrëfyer pakënaqësitë e tyre lidhur me dyfishimin e plotë të tatimit në pronë, ku njëri kishte paguar nga 70 euro vitin e kaluar, ndërsa tani me rritjen në 100 për qind deri në mbi 140 euro. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›