E Diel, 1 Nëntor 2026

Snowden: Sekretet ua besova gazetarëve kurajozë

UASHINGTON- Zgjodha reporterin e të përditshmes britanike "The Guardian", Glenn Greenwald dhe autoren e dokumentareve, Laura Poitras për t'u besuar sekretet e mbikëqyrjes elektronike amerikane sepse janë gazetarë kurajozë, u shpreh në një intervistë për të përditshmen amerikane "New York Times" ish-konsulenti i shërbimeve sekrete, Edward Snowden.

"Pas 11 shtatorit, shumë grupe të mëdha mediatike amerikane braktisën funksionin e kontrollit të pushtetit, një nga përgjegjësitë themelore të shtypit për vënien e autoriteteve përballë përgjegjësisë së abuzimit me qeverisjen, sepse nuk dëshironin të perceptoheshin si jopatriotikë dhe të dënoheshin nga tregu në momentin kur nacionalizmi kishte arritur kulmin", deklaroi ish-konsulenti i Agjencisë Kombëtare amerikane të Sigurisë.

"Reporteri i 'The Guardian', Glenn Greenwald dhe autorja e dokumentarëve, Laura Poitras bëjnë pjesë në grupin e vogël të gazetarëve që punuan të patrembur me çështje shumë të diskutuara gjatë kësaj periudhe", theksoi Snowden.

"Gjatë intervistës së parë në Hong Kong, gazetarët u mërzitën sepse isha më i ri sesa ata mendonin. Ndërsa unë u mërzita që erdhën aq shpejt, sepse kjo i ndërlikoi kërkimet e mia", nënvizoi ai.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›