Snowden i ka kopjet e ndjeshme të inteligjencës

Gazetari i së përditshmes londineze, Guardian, Glenn Greenwald, i afërt me ish-kontraktorin e inteligjecës amerikane, Edward Snowden, tha se Snowden ka kopje të dokumenteve të ndjeshme lidhur me operimin e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara.
Gjatë një interviste për agjencinë AP, gazetari Greenwald, tha se këto informacione mund të shfrytëzohen që dikush t’i kopjoj teknikat e vëzhgimit që përdoren nga kjo agjenci.
Greenwald tha se Snowden i ka “mijëra dokumente” që përmbajnë “instruksione bazike se si është e ndërtuar Agjencia Kombëtare e Sigurisë”.
Por, sipas tij, Snowden nuk dëshiron t’i bëjë publike këto dokumente për shkak të dëmit që mund ta shkaktojnë.
Snowden, që tash e tri javë po qëndron në aeroportin e Moskës, tha të Premten se ai synon azil të përkohshëm në Rusi.
Qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka akuzuar Snowdenin për spiunim dhe dëshiron që ai të paraqitet para gjykatës amerikane./Indeksonline/