Socialistët akuzojnë Berishën për afera me naftën

Tiranë, 18 gusht - Partia Socialiste ka akuzuar të martën kryeministrin Sali Berisha për përfshirje të familjarëve të tij në industrinë e nxjerrjes së naftës. Akuzat për nepotizëm Partia Socialiste i ka vazhduar në vijim të akuzave të ngritura kohët e fundit ndaj deputetes së PD-së, Albana Vokshi, që, sipas PS-së, ka favorizuar bizneset e të shoqit. duke i dhënë atij akses kryesor në industrinë e naftës. “Sipas formularit të regjistrimit të degës në Shqipëri të ‘Stream Oil’ rezulton se kjo kompani dhe kompania ‘Vizion Construction’ e bashkëshortit të Albana Vokshit dhe sekserit të Shkëlzen e Sali Berishës, Rrahman Selmanllarit, kanë të njëjtën godinë. Në prill 2008, Tartari emërohet përfaqësues ligjor i ‘Stream Oil’ dhe vetëm pak ditë më pas zhvendoset në të njëjtën godinë kompania ‘Vision Construction’, ku aksionari tjetër është sekseri i familjes në pushtet, Selmanllari. Dy kompani me emra të ndryshëm, por me të njëjtët protagonistë, në të njëjtën godinë dhe pas të cilave fshihet e njëjta dorë, ajo e familjes në pushtet që menaxhon bizneset nëpërmjet Selmanllarit”, tha deputeti i PS-së Eduart Shalci . Sipas tij, “fakti që kompania e bashkëshortit Tartari që ka marrë në koncesion në mënyrë abuzive fusha nafte e gazi natyror me vlerë rreth 4 miliardë euro, dhe kompania ku është bashkëpronar sekseri i Shkëlzen e Sali Berishës ndajnë të njëjtat zyra, tregon qartë për përfshirjen e familjes kryeministrore në këtë aferë të pastër korruptuese”. Partia Socialiste i ka kërkuar Sali Berishës të reagojë për këto dokumente që e komprometojnë rëndë rrethin e tij të ngushtë familjar e politik. Prej disa kohësh PS ka publikuar fakte për koncesionet marramendëse në industrinë e nxjerrjes së naftës që ka përfituar bashkëshorti i ish-këshilltares së Sali Berishës dhe deputetes së Partisë Demokratike, Albana Vokshi.”Një rast i pastër korrupsioni dhe konflikti interesi i familjes në pushtet ku me një të rënë të lapsit të Sali Berishës kompania “Stream Oil”, ku është bashkëpronar bashkëshorti Tartari i Albana Vokshit ka përfituar me koncesion 3 fusha naftëmbajtëse dhe një fushë gazi natyror me vlerë mbi 4 miliardë euro nga pasuria e përbashkët e shqiptarëve”, tha Shalci. Dy ditë më parë PS-ja bëri publike dokumente që hedhin një hije akoma dyshimi mbi përfitimet e drejtpërdrejta të familjes Berisha nga biznesi i naftës. Sipas këtyre dokumenteve, miku i ngushtë i djalit të kryeministrit dhe sekseri i interesave të biznesit të Shkëlzen e Sali Berishës, Rrahman Selmanllari dhe bashkëshorti Tartari i deputetes demokrate Albana Vokshi, rezultojnë të jenë ortakë në një biznes, “Vizion Construction”, i cili ka si objekt të punës së tij tregtimin e karburanteve dhe vajrave lubrifikante që prodhohen duke shfrytëzuar pikërisht koncesionet e fushave të naftës dhe gazit natyror që i ka dhuruar Sali Berisha.