Socialistët e Kuçovës, trakte të reja kundër Pilo Kerrit
“G 99” premton agjenci funeralesh dhe varrime madhështore falas
Lufta mes partive të majta ose më saktë brenda vetë socialistëve, atyre që kandidojnë për PS-në dhe atyre që kandidojnë për G 99 vazhdon të jetë e ashpër. Pas trakteve të shpërndara nga stafet e kandidatëve socialistë ku bëhej thirrje elektoratit që të mos votonin për “tradhtarin” Pilo Kerri që garon për siglën e G 99, trakte të tjera kanë qarkulluar ditët e fundit në qytet.
Në këto trakte në të vërtetë ka një ironi të hapur dhe antireklamë për kandidatin e G99, që në fakt vazhdon të ketë akoma mandatin e deputetit të marrë nga PS në 2005-ën. Duke u bazuar tek një biznes privat që Kerri ka në Kuçovë, shërbim funeral, traktet bëjnë thirrje të votohet për emrin e G99 sepse po fitoi do ti ofrojë shërbimin e funeralit falas.
Më saktë në traktet që janë gjetur këto ditë në duart e qytetarëve të Kuçovës thuhet se “Votoni G99 dhe do të më keni mua deputetin tuaj. Po fitova do t’u varros pa lekë”.
Burime nga PS e Beratit bëjnë të ditur se fletushkat janë bërë dhe shpërndarë nga simpatizantë të PS-së, të ndikuar sigurisht nga fryma konfliktuale që ka fushata mes aleatëve të të njëjtit koalicion në këtë qytet, një shaka e hidhur kjo pasi bëhet pazar me vdekjen, por simpatizantët e PS-së të indinjuar nga kalimi i Kerrit dhe i disa drejtuesve lokalë të PS-së në partinë e drejtuar nga Erion Veliaj kanë kaluar cakun.
...