E Diel, 1 Nëntor 2026

Socialistët fituan zgjedhjet në Francë

Rezultatet finale të rrethit të parë të zgjedhjeve parlamentare në Francë tregojnë se socialistët e presidentit Francois Hollande kanë siguruar shumicën e nevojshme për të çuar përpara reformat ekonomike.

Rezultatet e publikuara nga ministria e Brendshme tregojnë se socialistët dhe aleatja e tyre, Partia e Gjelbër, kanë fituar afro 46 për qind të votave, ndërsa partia e ish-presidentit, Nicolas Sarkozy, ka siguruar 34 për qind të tyre.

Këto të dhëna pritet të konfirmohen edhe në rrethin e dytë të votimeve, që do të zhvillohet më 17 qershor.

Liderja e Partisë Socialiste, Martinë Obri, ka falënderuar votuesit për mbështetjen.

“Mendoj se francezët kanë dashur t’i japin sinjalin e besimit Francois Hollande dhe ndryshimeve që tashmë kanë nisur të ndodhin me qeverinë e tij. Dhe, kjo është ajo në të cilën kemi insistuar. Ne kemi nevojë për një shumicë, për të vazhduar në çështjen e punësimit, rritjes ekonomike dhe drejtësisë”, ka thënë Obri.

Hollande ka fituar postin e presidentit në zgjedhjet e 6 majit dhe tashmë ka ndërmarrë një sërë reformash populliste, si shkurtimi për 30 për qind i pagave të ministrave dhe ulja e moshës së pensionit për disa punëtorë nga 62 në 60 vjeç.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›