E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët grekë kanë ende besimin e opinionit publik

Sondazhi

Socialistët që kanë qeverisjen në Greqi vazhdojnë të jenë në krye të sondazheve krahasuar me opozitën e djathtë, pavarësisht masave që kanë marrë së fundi për të reduktuar ndjeshëm deficitin e lartë buxhetor, që kanë prekur ndjeshëm financat personale të grekëve. Ky është rezultati i një sondazhi të fundit të opinionit publik. Ai është ndërmarrë nga një gazetë greke dhe sipas tij, Pasok ndodhet me dhjetë pikë diferencë ndaj konservatorëve të djathtë. Gjithsesi për sa i përket parametrave, ato kanë qenë më të ulëta për të dyja partitë krahasuar me sondazhin e zhvilluar në muajin janar. Nën presionin e partnerëve të Eurozonës dhe rritjen e kostos së huamarrjes, qeveria e drejtuar nga socialistët ka ulur pagat e sektorit publik, ka ngrirë pensionet dhe ka shtuar taksat, duke synuar që me këto masa të rrepta të ulë shifrën e deficitit buxhetor me 4% të Prodhimit Kombëtar Bruto në fund të këtij viti, pra nga 12% që është aktualisht të zbresë në 8%. Liderët e Eurozonës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i kanë mbështetur të gjitha këto hapa të marra menjëherë pas aprovimit nga Parlamenti, por të gjithë investitorët po e ndjekin me shumë vëmendje situatën dhe madje dhe rezultatet e sondazheve të opinionit publik, duke qenë se janë ende të pasigurt nëse qeveria do të jetë apo jo e aftë për të përmbushur detyrimet e saj të mëdha brenda kohës së shpejtë të kërkuar. Sondazhi, i cili është publikuar dje në shtypin grek, tregoi se gjysma e 1000 të intervistuarve ishin pro grevave të sindikatave të punonjësve të sektorit publik kundër masave të qeverisë për “shtrëngimin e rripit”, ndërsa 42% ishin kundër. Ndërkohë 60% ishin të mendimit se Greqia më në fund do të arrinte që të dilte nga kriza e saj financiare. Të premten u publikua një sondazh tjetër, në të cilin Pasok gjithashtu kryesonte ndaj opozitarëve në opinionin publik, por në të tregohej gjithashtu edhe se plani i qeverisë për të reduktuar deficitin e lartë buxhetor ishte “socialisht i padrejtë”, për shkak se ai ishte i përqendruar që të nxirrte para nga të varfrit.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›