Petros Christodoulou
është pozicioni më i rëndësishëm që ekziston sot në Greqi dhe Petros Christodoulou e di mirë këtë. Sapo ka marrë në dorë Agjencinë e Borxhit Publik në Athinë dhe është ngarkuar me “misionin e pamundur” të nxjerrjes së vendit nga kriza ekonomike në të cilën është futur. Objekti final është sigurimi i 300 miliardë eurove për të shpëtuar buxhetin. Ndërsa i është futur punës, ai thotë: “është një detyrë që nuk lë hapësirë për emocione”
Kur Petros Christodoulou ulet në tryezën e tij, e ka të pamundur që të mos ta çojë vështrimin në një relike të kohëve të mira, që ndodhet mbi tryezën e punës. është një objekt që me siguri i kujton një arritje të madhe, por që për fat të keq, koha tregoi se nuk ishte e tillë. është një certifikatë e radhë, e futur në një kornizë të hollë, në të cilën shkruhet: “Dhënë huamarrësit më të mirë të qeverisë”. është një çmim që iu dha qeverisë së Athinës, në vitin 2007, nga revista “Eurowek”.
Në atë periudhë, Athina kishte një imazh tjetër dhe sigurisht nuk kishte mbi vete vëmendjen e së gjithë botës, sikundër ndodh sot. Prej kohësh, jo vetëm shtetet dhe institucionet financiare, por edhe njerëz të zakonshëm, pyesin se çfarë u bë me atë borxhin katastrofik të Athinës? Edhe pse Greqia e ka shumë të vështirë që të rrisë të ardhurat në mënyrë të shpejtë dhe domethënëse, detyra e Petros është që të gjejë dhe sigurojë një hua të leverdisshme në tregjet financiare, në mënyrë që Athina të mundet të paktën të paguajë borxhin e vjetër me një borxh të ri. Vetëm në këtë mënyrë, ritmet e krizës do të ngadalësoheshin, grekët do të kishin kohë që të forcoheshin për të paguar të gjitha detyrimet, duke shpëtuar vendin nga falimentimi dhe njëkohësisht edhe vetë monedhën e përbashkët euro. Një muaj më parë, Kryeministri i vendit, Papandreu, 57 vjeç, caktoi ish-financierin që ishte marrë me investime bankare në postin e drejtorit të Agjencisë së Menaxhimit të Borxhit Publik (PDMA). Në fakt, është një pozicion që për shumëkënd konsiderohet si thikë me dy presa dhe ndërsa për disa është një nder, të tjerë mendojnë se sfida është kaq e madhe sa rreziku dhe dështimi janë thuajse të garantuar për Petros. Vështirësia e detyrës qëndron në shifrën e madhe që Greqia ka borxh, pra 300 miliardë dollarët e famshëm që e kanë futur vendin në kolaps. Dhe ç’është më e keqja, pagesat e interesit po bëhen me përqindje shumë të larta në krahasim me vendet e tjera. Paraardhësi i Petros e gjeti veten në një situatë të vështirë dhe i la trashëgim pasardhësit një pozicion me shumë të papritura. E megjithatë, Christodoulou nuk hezitoi për asnjë çast kur i propozuan detyrën e vështirë. “Sigurisht që nuk është oferta që një profesionist ka ëndërruar gjatë gjithë jetës, por ka momente në karrierë kur thjesht duhet të shtrëngosh dhëmbët dhe t’i futesh punës pa mëdyshje”, shprehet shefi i ri. Në këto kushte, ai ka ndërmend që të përdorë të gjitha aftësitë për ta nxjerrë vendin nga situata e vërtitë në të cilën gjendet. Për ta bërë këtë, duhet që të jesh i pajisur me aftësi dhe talente të jashtëzakonshme dhe me përvojë profesionale të admirueshme. Dhe duket se “shpëtimtari” i ka këto aftësi. Ai ka studiuar financë në Athinë dhe më pas në Universitetin e Kolumbias në Nju Jork. Më pas, ka pasur vazhdimisht pozicione të larta e me përgjegjësi në drejtimin e disa institucioneve financiare si “Credit Suisse”, “Goldman Sachs”, “JP Morgan” dhe së fundi Banka Kombëtare e Greqisë. Ky ishte pozicioni të cilin e ai e la për t’u marrë me gjetjen e rrugëzgjidhjeve për shpëtimin e vendit nga borxhi i lartë. Unë kam qenë shumë lart në karrierën time dhe tani ndihem si ato forcat speciale që parashutohen nga helikopteri në një teren të vështirë”, thotë Petro. Zyra e tij, në fakt, nuk i ngjan një shtabi emergjence, ku përgatitet beteja përfundimtare për të luftuar borxhin dhe falimentimin e shtetit. Korridori që të çon drejt saj është i lyer me ngjyrat e flamurit kombëtar dhe është gjithmonë thuajse bosh dhe i qetë. Ndërsa brenda në zyrë, tryezat e punës duken çuditërisht të pastra dhe të rregullta. Petros, 49 vjeç, ka një staf me 20 vetë dhe një ndër detyrat kryesore është të vendosë për bonot që duhet t’i përdorë dhe ku t’i përdorë. “Jeta ime kushtëzohet nga tregjet financiare. Jam këtu sapo ndodh diçka e re dhe sa herë që dikush ka ndonjë ide të re, pavarësisht se mund të jetë mëngjes, drekë apo natë. Synoj dhe shkëmbej emaile me të gjithë faktorin kombëtar dhe ndërkombëtar edhe në orën 1:00 apo 2:00 të natës. Ai zakonisht vishet me shumë kujdes dhe me gusto. Po me gjithë këtë përgjegjësi që kërkon një përkushtim 24 orë a e ka problem ai pagjumësinë? Petro, zakonisht i shpejtë në të përgjigjur, këtë herë bën në pauzë disa sekonda dhe pastaj thotë: “Mendoj se është një pozicion ku nuk ka vend për asgjë tjetër, përveç punës”. Sfida e tij më e madhe e momentit është që të arrijë të grumbullojë 11 miliardë euro deri në fund të muajit maj, për të paguar borxhin që maturohet në atë periudhë. Në fillim të kësaj jave shifra ishte shumë më e lartë, por një emetim i suksesshëm i bondeve të hënën e uli ndjeshëm. Ndërsa deri në fund të vitit i duhet të ketë mbledhur 20 miliardë euro. Në prill, ai dhe grupi i punës do të nisen për një udhëtim në disa vende të Azisë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ajo çka duam të bëjmë është që të rrëfejmë historinë tonë dhe bindjen që do të dimë ta nxjerrim Greqinë nga kjo situatë e vështirë në të cilën gjendemi sot. Si pasojë do t’u ofrojmë partnerëve të mundshëm në këto vende investime të mira dhe me leverdi dypalëshe, propozime të cilat investitorët e huaj nuk mund t’ia lejojnë vetes që t’i injorojnë”, thotë Petros. Vizitat e tij do të përqendrohen në disa vende të Azisë Juglindore që po përjetojnë një bum të vërtetë ekonomik.
Petros është një nga ata drejtues që i bën vlerësimet dhe i merr vendimet shpejt dhe shumë qartë. Ai mendon në mënyrë patriotike dhe vepron në mënyrë globale. “Kemi nevojë për shumë fat. Unë shpesh shkoj në kishë, sepse kam nevojë për forcë”. Revista amerikane e biznesit “Forbes” thotë se paga e tij vjetore, kur ishte në sektorin bankar, ishte 300 mijë dollarë, ndërkohë që paga e tij aktuale është më e ulët. “Nuk mendoj për pagën tani”, thotë duke qeshur. Ndërkaq, duke qenë se është gjithmonë pa kohë, ndërsa mendon se cili do të jetë hapi i ardhshëm thotë: Një gjë është e sigurt: nuk jam politikan dhe nuk po parashikoj një karrierë politike”
#