E Shtunë, 31 Tetor 2026

Socialistët në Gjirokastër: Dhunuan komisionerin tonë

GJIROKASTËR- Socialistët në qarkun e Gjirokastrës kanë denoncuar një tjetër problem. Gjatë një deklarate për shtyp, kandidati për deputet i Partisë Socialiste Ethem Ruka deklaron se ndaj një komisioneri të kësaj force politike është ushtruar dhunë. Ngjarja sipas deklaratës ka ndodhur në fshatin Rexhin të komunës Kurvelesh në rrethin e Tepelenës. Madje në deklaratë akuzohen edhe forcat e policisë së Tepelenës, që sipas kandidatit socialist nuk kanë raguar, megjithëse janë njoftuar për incidentin e ndodhur. "Komisioneri i PS Julijan Balilaj është qëlluar nga shtetasi Jaho Xhebro, i cili sipas të dhënave të grumbulluara ka ushtruar dhunë në ambientet e brendshme të Qendrës së Votimit të këtij fshati në prani të anëtarëve të tjerë të komisionit"- thuhet në deklaratë.
Sipas saj, dhuna ka ardhur pasi ky i fundit nuk ka lejuar të votojë të atin e shtetasit Jaho Xhebro i cili sipas komisionerit socialist, nuk kishte asnjë lloj mjeti identifikimi si letërnjoftim apo pasaportë. Për këtë veprim legjitim të komisionerit socialist, Jaho Xhebro ka shkuar në qendrën e votimit dhe ka dhunuar fizikisht komisionerin e PS. Dhunuesi i komisionerit të PS është nipi i kryetarit të Komunës Kurvelesh dhe i kandidatit për deputet të PR në Qarkun e Gjirokastrës Ditar Hodaj. "Ndonëse për këtë ngjarje është njoftuar Komisariati i Policisë së Tepelenës, askush nga përfaqësuesit e Policisë nuk ka shkuar në vendngjarje"- thuhet në deklaratë.

Lazarat: Kryekomunari presion votuesve
Ndërkaq, në një tjetër reagim të socilistëve pretendohet për shkelje edhe në komunën Lazarat. "Deputeti Vangjel Tavo gjatë vëzhgimit të qendrës së votimit në komunën Lazarat ka vërejtur se kryetari i komunës Dasho Aliko pasi ka ushtruar gjatë gjithë kohës presion mbi votuesit, po përpiqet që të manipulojë rezultatet duke ushtruar presion mbi komisionerët socialistë. Kandidati i PS për Qarkun e Gjirokastrës Vangjel Tavo ka kërkuar përmes kësaj komunikate që misioni OSCE- ODHIR i instaluar në Qarkun Gjirokastër të shkojë në vendngjarje dhe të japë të gjithë asistencën e duhur duke u njohur nga afër me situatën dhe marrë në raportim të gjitha të dhënat. Kandidati për deputet dhe deputeti aktual i PS Vangjel Tavo shpreh shqetësimin e tij se duke u nisur nga përvoja e zgjedhjeve të kaluara, koha e përfundimit të votimeve është çasti i manipulimit të zgjedhjeve në këtë fshat.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›