Sofja: Po, ne e manipuluam bilancin e buxhetit
Qeveria e Bullgarisë pranoi së fundmi publikisht se ka gënjyer dy vitet e fundit për statistikat e deficitit të saj buxhetor, lajm që solli drithërima në të gjithë rajonin, pasi investitorët po dyshojnë nëse edhe vendet e tjera kanë kopjuar metodat e Greqisë.
“Ne i gënjyem partnerët tanë europianë mbi faktin se sa gati jemi për të hyrë në Eurozonë”, deklaroi Kryeministri Boiko Borisov të premten. Monedha e Rumanisë, leu, pësoi humbje si pasojë e këtij lajmi. Të dhënat e reja tregojnë se deficiti buxhetor i Bullgarisë në vitin 2009 ishte i barabartë me 3.7 për qind të PBB-së, dy herë më i lartë nga premtimi i dhënë te BE për deficit të barabartë me 1.9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Bullgaria dëshironte të hynte te mekanizmi ERM II, një proces që konsiderohet si “paradhoma e pranimit në euro”. Ministri i Financave, Simeon Djankov, akuzoi qeverinë paraardhëse, e cila sipas tij nuk ka zbatuar standardet europiane mbi kontabilitetin në llogaritjen e deficitit. Bëhet fjalë për rreth 150 kontrata punimesh publike, të cilat përmbanin anekse me vlerë të përgjithshme prej 1.1 miliardë eurosh punimesh shtesë. Këto anekse nuk ishin përfshirë në llogari, ndryshe nga sa caktohet nga rregullat e BE-së. Bullgaria u detyrua sakaq të heqë dorë nga aplikimi për anëtarësim në ERM II këtë vit, ndërsa ekziston mundësia që Brukseli t’i vendosë gjobë.
#