Bashkëpunim për transplantin e palcës së kockës
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ndodhej në një vizitë zyrtare në Kinë ku takoi edhe homologun e tij Chen Zhu.
Në takim u ra dakord për ngritjen e grupeve dypalëshe të punës, të cilët do të propozojnë veprime konkrete në disa fusha prioritare të bashkëpunimit. Ndër to janë edukimi dhe trajnimet në sektorë prioritarë shëndetësorë, si dhe bashkëpunimi për njohjen e mjekësisë tradicionale kineze dhe praninë e saj në Shqipëri.
Palët diskutuan rreth shkëmbimit të eksperiencave në fushën e sëmundjeve të gjakut, si dhe transplantet e palcës së kockës.
Në bashkëpunimin shqiptaro-kinez parashikohet shkëmbimi i informacionit shëndetësor në kohë reale ndërmjet dy vendeve për sëmundjet infektive dhe kronike. Gjithashtu, u ra dakord për vizita të tjera të grupeve dypalëshe në fushat e interesit të përbashkët. Së shpejti, një delegacion me ekspertë teknikë në fushën e cilësisë dhe sigurisë së barnave do të vizitojë Kinën për shkëmbim eksperience.
#