E Shtunë, 31 Tetor 2026

Somali, lirohet anija greke e naftës

Disa piratë somalezë liruan një anije nafte greke, të cilën e mbanin nën kontroll që në muajin tetor. Por sipas disa burimeve detare keniane, tre anëtarë të ekuipazhit të anijes konsiderohen të vdekur. "Anija 'MT Action' është lënë e lirë nga piratët", bëri të ditur, në një komunikatë Endrju Muangura, përgjegjës për programin kenian të ndihmës në brigjet e Afrikës Lindore. "Është për t'u shqetësuar se tre anëtarë të ekuipazhit kanë humbur jetën në rrethana të paqarta", deklaroi ai. Sipas Zyrës Detare Ndërkombëtare, BMI, rreth 100 anije janë sulmuar që nga fillimi i vitit në Gjirin e Adenit dhe në afërsi të brigjeve të Somalisë. Pirateria në këtë zonë është shndërruar në një problem ndërkombëtar, me rrugët detare që tashmë janë bërë shumë të rrezikshme. Liderë europiane kanë deklaruar se duhet të merren masa të menjëhershme për eliminimin e këtij problemi. Ndërkohë që vetëm disa ditë më parë anija luftarake italiane me emrin "Luigi Durand de la Penne", që merr pjesë në misionin e NATO-s, i cili ka si objektiv luftën kundër piraterisë në gjirin e Adenit, bllokoi një sulm të piratëve në brigjet e Somalisë. Sulmi i ideuar nga piratët kishte si objektiv pesë anije tregtare, ndër të cilat edhe një iraniane.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›