Somali, piratët godasin sërisht
Anija saudite 'Sirius Star' kishte 25 vetë në bord kur u rrëmbye
Komandantë të Flotës Amerikane thonë se rrëmbimi i një anijeje të madhe naftëmbajtëse në det nga piratë somalezë është i paprecedentë. Tashmë anija e madhe naftëmbajtëse ka arritur në bregdetin e Somalisë. Anija ka qenë e ngarkuar me afro dy milionë fuçi naftë bruto dhe piratët pritet të kërkojnë para për lirimin e saj.
Pronarët e anijes thonë se kanë kontaktuar me piratët dhe se 25 anëtarët e personelit të anijes janë mirë.
Shefi i shtabit të ushtrisë amerikane, Admirali Mike Mullen, deklaroi në Pentagon se piratët ishin të stërvitur dhe të armatosur mirë.
"Ata janë shumë të aftë në veprimet që bëjnë, janë të armatosur shumë mirë dhe taktikisht veprojnë në mënyrë të efektshme. Dhe në momentin kur arrijnë të hipin në bordin e anijes, bëhet shumë e vështirë që t'i zbrapsësh, sepse është e qartë se tani ata mbajnë edhe pengje", tha Admirali Mullen.
Kompania që ka në pronësi anijen e kapur nga piratët, thotë se ekipazhi është shëndoshë e mirë.
Disa nga rastet:
Sipas organizatës “International Maritime Bureau”, 63 nga 199 incidentet e piraterisë së regjistruar në nëntë muajt e parë të këtij viti kanë ndodhur gjatë brigjeve të Somalisë dhe në Gjirin Aden. Shifrat, nëse ballafaqohen me ato të së shkuarës, janë dyfishuar.
-marrin peng jahtin francez “Ponant” dhe 30 marinarë në bord.
-Rrëmbejnë anijen filipine (cisternë që transportonte lëndë kimike)
-Anijen tregtare “Faina”, e cila ishte e ngarkuar me armë dhe kishte 20 njerëz në ekuipazh
-Sekuestruan një anije që transportonte naftë në brigjet e Kenias, me 25 anëtarë në bord.
-Anijen malteze me 39 persona në bord, e cila ishte e ngarkuar me vaj palme.
Piratë ekologjistë
Priratët somalë janë identifikuar si ekologjistë dhe “betohen” se duan të përdorin paratë e anijeve të sekuestruara për të ripastruar detin dhe brigjet nga efektet negative.
Nga vitet ’90 Somalia e varfër është një pikë shkarkimi ndërkombëtar ku shoqëri pa skrupuj dhe europiane, derdhin helmet e çdo lloji.
Kjo, sipas Januna Ali Jama, një nga zëdhënësit e këtyre “grabitqarëve” të detit.
Kjo është dhe arsyeja se përse pjesa më e madhe e anijeve të sulmuara ose të marra peng janë anije që transportojnë naftë, vajra dhe lëndë të ndryshme kimike.