E Martë, 3 Nëntor 2026

Somali, u detyruan të bënin ulje emergjente, grupi terrorist rrëmben ekuipazhin e helikopterit të OKB-së

Një helikopter i Kombeve të Bashkuara, me punonjës të ndihmave humanitare është rrëmbyer nga grupi terrorist Al-Shabab, pasi u detyrua të bënte ulje emergjente në territorin që ndodhet nën kontrollin e grupit të armatosur somalez bën të ditur organizata.

Punonjësit e ndihmës, që ishin në helikopter tani mbahen peng nga grupi i armatosur i lidhur me Al-Kaedën, i cili ka shkaktuar dhunë në Bririn e Afrikës për dekada.

Helikopteri u ul pranë fshatit Gaboon në rajonin Galgaduud për shkak të një defekti teknik. Incidenti u konfirmua gjithashtu nga një zyrtar i OKB-së në Mogadishu.

Sipas OKB-së, në helikopter kishte nëntë pasagjerë, duke përfshirë personelin ushtarak dhe një kontraktor të palës së tretë. Gjashtë prej tyre thuhet se janë marrë nga grupi, ndërsa 2 pasagjerë kanë shpëtuar dhe mbeten të lirë.

“Të gjitha fluturimet e OKB-së janë pezulluar përkohësisht në afërsi deri në njoftimin e mëtejshëm”, thuhet në deklaratën e OKB-s, ndërsa detaje të tjera, duke përfshirë kombësinë e personave në bord, mbeten të paqarta.

Al-Shabab kontrollon pjesë të mëdha të Somalisë jugore dhe qendrore. Grupi është i lidhur me Al-Kaedën dhe ka zhvilluar një kryengritje brutale për gati 20 vjet.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›