E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sondazhi, 50.27% e lexuesve të BalkanWeb: Rinumërimi i votave nga KQZ, transparencë proçesit

TIRANE- 50.27% e lexuesve në BalkanWeb, të cilët patën mundësi të shprehnin preferencën e tyre në sondazhin e zhvilluar nga kjo agjenci lajmesh janë të mendimit se rinumërimi në dy qarqet Lezhë dhe Shkodër do të ndihmojë në transparencën e procesit zgjedhor.

Prej disa ditësh 3368 lexues në total u bënë pjesë e sondazhit të "BalkanWeb", teksa pyetjes: KQZ ka nisur rinumërimin ne dy qarqe Lezhe dhe Shkodër. A do te ndihmoje kjo në transparencën e procesit zgjedhor?

50.27% u përgjigj “PO” do të ndihmojë në transparencën e procesit, kundrejt 49.73% që u shprehën kundër.

Kolegji Zgjedhor vendosi dje të shtyjë për në datën 26 korrik shqyrtimin në themel të kërkesës ankimore të Partisë Socialiste për Qarkun e Shkodrës, e cila kërkon shfuqizimin e vendimit të KQZ-së të 19 korrikut, për rinumërimin e 8 ZAZ-ve. Ndërkohë KQZ-ja do të ketë mundësi që gjatë këtyre dy ditëve të përmbyllë procesin e rinumërimit të votave të qarkut të Shkodrës.

Sa i takon Qarkut Lezhë, pak ditë më parë Kolegji Zgjedhor vendosi të pranojë kërkesë-padinë e PS për rinumërimin e votave për Qarkun Lezhë. Pranimi i kësaj kërkese e shndërron në nul të gjithë procesin e rinumërimit për Qarkun e Lezhës, duke mos lejuar që të ndryshojnë tabelat përmbledhëse për Lezhën. 

Kujtese. Sondazhet online të "BalkanWeb", nuk kanë vlera statistikore. Por kanë si qëllim që të lejojnë lexuesit e saj të shprehin mendimin e tyre mbi tematika aktuale. Çdo përdorues ka të drejtën e një vote. (e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›