E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sondazhi Kombëtar i Studentëve 2025, Manastirliu: Zëri i studentëve, themelor për arsimin e lartë

Nga data 21 prill deri më 23 maj 2025 do të zhvillohet edicioni i tretë i Sondazhit Kombëtar të Studentëve, një iniciativë që synon të dëgjojë dhe të pasqyrojë zërin e studentëve mbi cilësinë e arsimit të lartë në Shqipëri.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në një takim me studentë në Akademinë e Arteve tha se zëri i studentëve është i rëndësishëm për përmirësimin e politikave në arsimin e lartë.

“Zëri i studentëve është më i rëndësishmi kur flasim për përmirësimin e politikave në arsimin e lartë, sepse na japin një pasqyrë të qartë për cilësinë e universiteteve, cilësinë e stafit akademik, përfshirjen e studentëve në proceset vendimmarrëse të universitetit, dhe për ato që ne duhet të bëjmë më shumë për sa i përket investimeve, qoftë në infrastrukturën universitare apo të kërkimit shkencor. Ky sondazh është një instrument që është një ekzigjencë e çdo institucioni politikbërës për ta pasur si udhërrëfyes për të hartuar programe që mbështesin këto komponentë”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Ministrja tha se aktualisht, rreth 50 mijë studentë kanë përfituar nga skema e mbështetjes përmes heqjes ose reduktimit të tarifave të shkollimit, mbulimit të kostove si dhe bursave.

“Përfshirja e studentëve në zhvillimin e arsimit të lartë mbetet prioritet për ne. Përmes mbështetjes studentore, ne mbështesim rreth 50 mijë studentë përmes bursave direkte, me tarifa të reduktuara ose tarifa zero për programet e studimit, përmes bursave sa paga minimale për studentët që ndjekin programet prioritare të studimeve. Janë rreth 300 studentë, së bashku me ata ekselentë, të cilët mbështeten nga programi i bursave për programet prioritare”, u shpreh ajo.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›