Sondazhi amerikan: Shqiptarët nuk kanë besim te zgjedhjet

nstituti Demokratik Amerikan raporton se shumica e qytetarëve fajësojnë “ata që janë në pushtet” për situatën e zymtë ekonomike në vend. Sipas hulumtimit të kësaj organizate, ankthi në lidhje me situatën e vështirë ekonomike të vendit, papunësinë kronike, rritjen e kostos së jetesës si edhe pagat e ulëta ka bërë që shumica e pjesëmarrësve në grupet e diskutimit të shprehen se Shqipëria po ecën në drejtimin e gabuar.
Qeveria vlerësohet negativisht nga qytetarët për sa i përket çështjeve sensitive të hapjes së vendeve të reja të punës dhe luftës ndaj korrupsionit. Politikanët, si ata në pushtet ashtu edhe ata në opozitë , u kritikuan pothuajse në të njëjtën masë për fokusin në mbrojtjen e interesave vetjake dhe partiake si edhe për mungesën e vëmendjes ndaj problemeve të qytetarëve. Studimi vëren se pjesëmarrësit shprehën ndjenja të thella pakënaqësie dhe zhgënjimi me politikanët e vendit dhe skenën aktu një ndjenjë e thellë mosbesimi ndaj politikanëve, të cilët akuzohen në mënyrë të përsëritur se aspirojnë pushtet vetëm për ta shfrytëzuar si një mjet për rritjen e përfitimeve personale, shkruan "Shekulli".
Edhe pse bien dakord se politika ka një ndikim shumë të madh në jetën e tyre të përditshme, qytetarët ndihen shumë të distancuar nga përfaqësuesit e tyre politikë dhe shfaqin pakënaqësi të theksuara për ndërveprimin e kufizuar me ta pas mbarimit të fushatave elektorale”, thuhet në raport. Gjithashtu, qytetarët e të gjitha grupeve shfaqën pakënaqësi ndaj retorikës politike, që sipas tyre është tejet antagoniste dhe jo konstruktive. Në vend të angazhohen në diskutime për zgjidhjen e problemeve prioritare në vend, politikanët shqiptarë, sipas qytetarëve, humbasin kohë në debate të kota në lidhje me çështje pa interes për ta.
Mungesa diskursit civil gjatë debateve politike u nënvizua në pothuajse të gjitha grupet e diskutimit si një tipar dallues i politikës shqiptare, që ndikon në mënyrë të pashmangshme në polarizimin e mëtejshëm të shoqërisë. Gjithsesi, ata vënë seriozisht në dyshim mundësinë e arritjes së një ndryshimi domethënës përmes votës, kjo për shkak të një shqetësimi të përgjithshëm që lidhet me manipulimin e zgjedhjeve. Instituti Demokratik Amerikan thekson se skepticizmi i tyre është pjesërisht i ndikuar nga shkelja e procedurave zgjedhore gjatë viteve të fundit, të cilat kanë dëmtuar ndershmërinë dhe besueshmërinë e rezultateve zgjedhore./Indeksonline/