E Diel, 1 Nëntor 2026

Hoxhaj: Pesëvjetori i pavarësisë me 100 njohje

(E plotësuar) Ministri Enver Hoxhaj ka thënë se viti 2012 pas vitit 2008 kur edhe u shpallë pavarësia e Kosovës, është më i suksesshmi për Republikën e Kosovës.

Ai ka përmendur edhe sukseset që sipas tij kanë shënuar këtë vit.

“Republikën e Kosovës në vitin 2012 e kanë njohur 13 vende. Për çdo muaj kemi pasur nga një njohje. Republika e Kosovës është realitet gjeopolitik në rajon. I kam vizituar 44 shtete. Kosova gjatë këtij viti është anëtarësuar në 10 organizata rajonale dhe ka bërë 47 marrëveshje diplomatike. Sukses tjetër është edhe hartimi i diplomacisë digjitale” ka thënë Hoxhaj.

Njohjet nga vendet e Amerikës së Mesme, Hoxhaj ka thënë se janë meritë e punës së tij. Ndërkaq njohja e Pakistanit është më e rëndësishmja sipas ministrit Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj, në konferncën e fundit me gazetarë për këtë vit, ka refuzuar të flasë për kolegun e tij të partisë, Xhabir Zharkun.

.....

Kosova, para se të festojë pesë vjetorin e pavarësisë, do t’i ketë 100 njohje, kështu ka thënë kreu i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj.

Ai në konferencën e fundit për këtë vit, ka thënë se, institucionet e Kosovës po bëjnë përpjekje që para 17 shkurtit, Kosova t’i ketë 100 njohje.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka folur edhe për zëvendësin e tij, Petrit Selimin, për të cilin ka thënë që është njëri prej zëvendësministrave më të mirë që ka pasur Kosova ndonjëherë.

I pyetur për rivalitetin me Pacollin, Hoxhaj ka thënë se ka rivalitet diplomatik vetëm me Lavrovin dhe Merkiqin, e jo me Pacollin.

Sfida e MPJ-së për vitin 2013 është integrimi i Kosovës në strukturat Euro-Atlantike./Indeksonline/

 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›