Sondazhi/76 % e shqiptarëve i thonë “jo” shtimit të ministrive nga Rama
Shqiptarët kundërshtojnë në mënyrë masive tentativën e Edi Ramës për ta shndërruar qeverinë e re në një lukuni grabitqare, e cila do shtohet në numër, duke rritur barrën e taksave për sipërmarrësit dhe bizneset. 76 % e tyre e lexojnë shtimin e ministrive, si një përpjekje për të zgjidhur luftën civile që ka shpërthyer mes Ramës dhe aleatëve të tij, por duket se as 5 ministri shtesë s’do mjaftojnë për të kënaqur orekset e revanshit që lajmërojnë bolshevikët e brezit të dytë të Bllokut komunist
Portofolet ministrore nuk duhet të shtohen në numër nga sa janë aktualisht. Qeveria e vogël me 14 ministri vlerësohet pozitivisht dhe si më e përshtatshmja për strukturën ministrore ndryshe nga ajo me 19 ministri që kërkon të instalojë Edi Rama si kryeministër. Kështu vendosi me votë qytetarët e klikuan në sondazhin e mundësuar në internet nga agjencia e njohur e lajmeve “BalkanWeb”, lidhur me sondazhin më të ri, “PS dhe LSI kanë rënë dakord për një qeveri me më shumë portofole. A duhet të shtohen ministritë?”. Prej 4 ditësh qytetarët votuan, ku dhanë votën Pro, 23.22% ndërsa jo u shprehën 76.78%. Në total votuan 4 mijë votues.
Padyshim sondazhet online kanë si qëllim që të lejojnë qytetarët të shprehin mendimin e tyre mbi tematika aktuale. E majta që doli fituese në zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit është në përgatitje e sipër të qeverisë së re. Pritet që sipas Kushtetutës, kjo qeveri të nisë nga puna në muajin Shtator, moment të të cilin hyn në fuqi dhe Parlamenti me ligjvënësit e rinj. Por PS dhe LSI në marrëveshjen e tyre për qeverisje kanë rënë dakord për shtim të numrit të portofolave ministrore.
Përkundër kësaj qytetarët e perceptojnë rritjen e burokracisë shtetërore si një vendim do të çojë në rrënimin e financave të shtetit dhe padyshim varfërimin e mëtejshëm të qytetarëve nga taksat e reja që do të shpikin “specialistët” e Edi Ramës.
Qytetarët shprehen se qeveria e madhe është gjithmonë problem. Shqiptaret duhet të paguajnë më shumë taksa për makinat, bodigardët, sekretaret, udhëtimet e ministrave të qeverisë Rama. Por në gjithë botën kryeministrat drejtojnë me një qeveri të vogël, ashtu siç është ajo aktuale, por më eficente, ndërsa në vend Edi Rama me konceptin e “Rilindjes” do të bëjë një qeveri të madhe dhe burokratike që do t’i kushtojë qytetarëve shumë shtrenjtë. Ideja perverse e Edi Ramës si kryeministër është që të hapen ministri të reja për të futur në punë militantët. Dhe gjoja për të mos rritur shpenzimet buxhetore do bëhen shkurtime masive në ministritë ekzistuese me pretekstin që janë krijuar dikastere të reja që mbulojnë të njëjtat fusha. Në këtë mënyrë ata që do hiqen nga puna, nuk do hiqen për “arsye politike”, por do t’u thuhet thjesht për reformë.
Megjithatë nuk duhet të habitemi sepse kjo ishte e pritshme për dy arsye. E para ka lidhje drejtpërdrejt me revanshin që po përgatit Edi Rama në administratën shtetërore dhe kjo gjë do të bëhet vetëm me ndryshime strukturash dhe ngritje të ministrive të reja sepse në këtë mënyrë mund t’u shmangen padive të shumta gjyqësore të panafakëve të shkarkuar padrejtësisht që do të bllokonin sistemin gjyqësor. E dyta arsye ka lidhje me të parën. Pra, spastrimet në administratën aktuale do të jenë të shumta por jo aq shumë sa për të kënaqur orekset e grigjës së militantëve që iu është premtuar punë e gjithfarësoj statusesh shoqërore. Dhe në këtë kuptim, Edi Rama mendon se ngritja e pesë ministrive të reja do të punësojë një masë të madhe të militantëve dhe do ushqejë klientët e Rilindjes. Kjo u pa qartë në festën e fitores së Tiranës ku ish-kryeministri socialist Majko iu drejtua të gjithë socialistëve se, “ Do ikin ata që ju kanë nxirë buzën, do vini ju”.
Ndërkaq shtimi i pesë ministrive të reja në strukturën e kabinetit qeveritar pa dyshim do të rrisë koston e administratës në buxhetin e shtetit duke hapur gropa të mëdha financiare. Dhe për të paguar këtë burokraci super të fryrë me patjetër do të gjenden mënyra për të taksuar edhe më shumë qytetarët. Edi Rama është një mjeshtër i shpikjeve të taksave të reja, pasi në Bashkinë Tiranë për 11 vite arriti të vërë edhe taksë e leshit.
Sido që të jetë arkitektura shtetërore pas muajit në shtator, një gjë është e sigurt: nga një anë janë institucionet financiare ndërkombëtare (FMN, Banka Botërore, BE, etj) që kërkojnë që Shqipëria të ulë borxhin publik dhe shpenzimet e makinës shtetërore, të pakësojë numrin e burokratëve dhe nëpunësve të papune ndërsa në anët tjetër do të kemi një qeveri të majtë me një oreks të madh që do të shtojë ministritë për të kënaqur orekset e militantëve dhe aleatëve të PS. Kjo gjë paralajmëron një stepje të investimeve në rrugë, ujësjellësa, kanalizime, spitalet, qendrat shëndetësore,shkollat, kopshtet, çerdhet, shume punë të tjera. Dhe për të mbajtur administratën e fryrë me militant do të shtojë shpenzimet, pra, do të ketë rritje taksash për biznesin dhe buxhetorët.